2015-09-14 15:43:00

Papa për Radio Renascenca: preferoj një Kishë të aksidentuar


Emigracioni, mikpritja, Kisha me dyer të hapura edhe pse e aksidentuar, Evropa “nënë” e jo “gjyshe”: janë këto, disa nga temat e prekura nga Papa Françesku në intervistën 40 minutëshe, transmetuar sot nga emitentja portugeze “Radio Renascenca”.

Të rinjtë e katekizmi

Në bisedën me ton konfidencial, Ati i Shenjtë përshkon magjisterin e vet e njëkohësisht, shpreh emocionet e zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit dhe tregon për jetën e tij të përditshme. Intervista fillon me të rinjtë e katekizmin. Të rinjtë, nënvizon Papa, duhen shoqëruar me kujdes, duke folur në çastin e duhur. Duhet ndryshuar metodologjia:

“Katekizmi është doktrinë për jetën, prandaj duhet të ketë tri gjuhë, tri idioma: atë të trurit, atë të zemrës dhe atë të duarve, pra, të mendojmë, të ndjejmë e të bëjmë atë, që ndjejmë”.

Papa Françesku e Fatima

 Papa Françesku dëshiron të shkojë për vizitë në shenjtëroren mariane të Fatimës, me rastin e 100-vjetorit të dukjeve të Zojës. Edhe portugezët e presin me padurim këtë përvjetor e atyre, Papa u thotë të luten ashtu siç kërkon Virgjëra Shenjte, të kujdesen për familjen e të respektojnë Urdhërimet e Tënzot:

“U duket fëmijëve. Është diçka kurioze, që u duket gjithmonë shpirtrave të thjeshtë”.

Emergjenca e emigracionit

         Nuk mund të mungonte tema e emigracionit, mëse aktuale, për shkak të emergjencës së refugjatëve sirianë dhe problemeve të kalimit në rrugën ballkanike drejt Gjermanisë. “Është maja e ajsbergut – paralajmëron Papa – janë njerëz të shkretë, që ikin nga lufta e nga uria”:

         “Shkaku kryesor është një sistem shoqëroro-ekonomik i keq, i padrejtë, sepse, duke folur edhe për proplemin ekologjik e politik, në qendër nuk është më njeriu. Sistemi ekonomik mbizotërues vë në qendër paranë: ajo është idhulli në modë sot”.

Mikpritja

         Papa Françesku denoncon instrumentalizimet me fenomenin e emigracionit, rezultat i një lufte pjesë-pjesë, që po shkatërron tokën, shtëpinë e përbashkët të njerëzimit. Mikpritja për emigrantët është e natyrshme për Atin e Shenjtë, edhe ai vetë i mirëpritur në Argjentinë, së bashku me familjen. Një komb, që nuk i mbylli dyert:

         “Kur them se famullia duhet të mbajë një familje, nuk mendoj se doemos ajo duhet të jetojë në qelë, por që bashkësia famullitare të kërkojë një vend, një kënd, për të bërë një apartament të vogël. Në rastin më të keq, të organizohet për të marrë me qera një apartament të thjeshtë për atë familje, por duhet të kenë një çati mbi krye, të priten e të integrohen në bashkësi”.

Kujdes me paranë

         Për Papën, edhe në mikpritjen e njerëzve duhet që Kisha të ketë kujdes e të mos i falet “hyjnisë para”. Nëse kongregatat fetare fitojnë para me anë të mikpritjes, nënvizon, duhet të paguajnë taksat. Nga ana tjetër, i fton të rizgjojnë thirrjen edukative, të krijojnë kurse, “shkolla emergjence”, ku të rinjtë të mësojnë një zanat, që i ndihmon të gjejnë punë. Qendrore është figura e shën Gjon Boskos, i cili duhet marrë si shembull.

Evropa nënë e jo gjyshe

         Pastaj, Papa vë gishtin në plagët e Evropës, e cila ka krijuar një “kulturë mirëqënieje”, që nxit të mos bëhen fëmijë e të braktisen të moshuarit:

         “Sfida më e madhe është që të jetë Evropa nënë e jo Evropa gjyshe”. Ka shembuj inkurajues si Shqipëria e Bosnjë-Hercegovina, përmend Papa vendet, që i ka vizituar personalisht. Evropa duhet të riniset nga rrënjët e saj të krishtera, mendon Ati i Shenjtë, i cili kritikon mungesën e njohjes zyrtare të këtyre rrënjëve. Evropa nuk ka vdekur akoma, thekson më pas, ka një kulturë të jashtëzakonshme, mund t’u tregojë udhën kombeve. Papa ka shpresë në brezin e ri të politikanëve, megjithëse vë në dukje problemin global të korrupsionit në të gjitha nivelet.

Edukimi e Kisha e aksidentuar

         Ati i Shenjtë kërkon një edukim, që të largon nga mërzia e jetës së lehtë, pasi liri, nuk do të thotë të bësh çfarë të duash e, lumturi, nuk do të thotë të mos kesh probleme. Edhe Kisha duhet të rrezikojë duke dalë jashtë, sepse nëse mbyllet në vetvete ka rrezik të sëmuret, të mos jetë më krijuese, të sigurohet pa qenë e sigurtë:

         “Prandaj, ndërmjet një Kishe të sëmurë e një Kishe të aksidentuar, preferoj të aksidentuarën, sepse të paktën ka dalë jashtë”.

Jubileu i Mëshirës

         E Papa i thërret të gjithë besimtarët në Romë për Jubileun e Mëshirës, që të ndjejnë dashurinë dhe faljen e Zotit. Duke iu referuar letrës drejtuar imzot Fizikelës (kreu i dikasterit vatikanas për Ungjillëzimin e Ri), ku Papa rekomandon faljen edhe për mëkate si aborti, si edhe dy Motu Proprio për deklarimin e pavlefshmërisë së martesës, Ati i Shenjtë nënvizon se janë dokumente për t’i ndihmuar njerëzit ta ndjejnë se Kisha është nënë.

Jeta e përditshme e Papës

         Duke kujtuar zgjedhjen në fronin e shën Pjetrit, Françesku kujton se po përgatitej të dilte në pension, se kishte prenotuar udhëtimin e kthimit për të kremtuar meshën në të Dielën e Larit në Buenos Ajres e se e kishte homelinë gati, por u detyrua të qëndronte në Romë:

         “Nuk e kam humbur kurrë paqen. Paqja është dhuratë e Zotit. Është dhuratë që ma ka dhënë Hyji. Diçka që s’e imagjinoja kurrë, ndoshta edhe për shkak të moshës”.

         Papa rrëfen se i mungon liria për të dalë si do vetë, por audiencat e së mërkurës e ndihmojnë shumë. Përsa i përket popullaritet të vet, bën shaka:

         “Shpesh e pyes veten si do të jetë kryqi im, si është kryqi im, sepse kryqet ekzistojnë, pavarësisht se nuk shihen. Edhe Jezusi, për një moment, ishte shumë popullor, por e dini si përfundoi. Askush s’mund ta blejë lumturinë në këtë botë. E vetmja gjë, që i kërkoj Zotit është të më ruajë paqen e zemrës e të më mbajë në Hirin e Tij, sepse deri në fund, njeriu është mëkatar e mund ta mohojë Hirin e Tij. Më ngushëllon një gjë: Shën Pjetri mëkatoi edhe më rëndë: mohoi Jezusin. Por pastaj, e bënë Papë”.

         Ati i Shenjtë pohon se rrëfehet çdo 15-20 ditë, se do të vdesë aty ku dëshiron Zoti, se fle si s’ka më mirë, se vrapon vetëm kur ka shumë punë për të bërë e se ideja e tij mbi amshimin ka ndryshuar me kohën:

         “Kur isha më i ri, e mendoja më të mërzitshëm. Tani mendoj se është Misteri i Takimit. Është gati i paimagjinueshëm, por takimi me Zotin duhet të jetë shumë i bukur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.