2015-09-14 14:25:00

Jubileu, kard. Parolin: ia besojmë ndërmjetësimit të shën Piut nga Pietralcina


Në San Giovanni Rotondo të Italisë nga data 14 deri më 22 shtator, ka filluar përgatitja shpirtërore e festës liturgjike të shën Piut nga Peitralcina 2015, e cila kremtohet më 23 shtator.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin ka sjell përshëndetjen e Papa Françeskut të gjithë besimtarëve të pranishëm në San Giovanni Rotondo, ku edhe ka përuruar Qendrën e re të kërkimeve për mjekësinë rigjenerative pranë Casa Sollievo dhe në Meshën kremtuar në Shenjtëroren e Shën Piut nga Pietralcina.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin kujtoi se Papa Françesku e ka zgjedhur Shenjtin Pio si “model shembullor të mëshirës”, të cilin duhet imituar e pasur si shembull jete gjatë Jubileut të ardhshëm.

Kardinali Parolin shpjegoi se është bërë “shtegtar ndër shtegtarë” për ta nderuar Shën Piun dhe për t’ia “besuar ndërmjetësimit të tij” kremtimet tashmë të afërta të Vitit të Shenjtë të Mëshirës, në mënyrë që ky Vit të nxit në Kishë e në botë “dëshirën e kthimit në udhën e Zotit, atë të përtëritjes së brendshme shpirtërore dhe të na ndihmojë për t’i rizbuluar – sipas dëshirës së Papës – veprat e mëshirshme”.

Për një mision të tillë kemi si shembull edhe qendrën shëndetësore Casa Sollievo della Sofferenza në San Giovanni Rotondo, e cila është një shprehje “posaçërisht elokuente” – shtoi kardinali Parolin – e angazhimit të Kishës në favor të njerëzve që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, e këndej një nxitje për të gjithë ne për “ të kultivuar një kujdes të posaçëm ndaj të sëmurëve e për t’u “qëndruar pranë atyre që vuajnë, sipas shembullit të Jezu Krishtit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.