2015-09-13 18:19:00

Kryeipeshkvi i Banguit: Papa në Afrikë për të varfërit e për paqen


Kenia, Uganda dhe Republika Qendroafrikane: këto janë etapat e udhëtimit të Papës në Afrikë, që u njoftuan kësaj jave nga Salla e Shtypit e Vatikanit. Ati i Shenjtë do t’i vizitojë këto vende nga 25 deri më 30 nëntor. Popullsia katolike e tyre e pret me entuziazëm e shpreson në praninë e Atit të Shenjtë. Sidomos, kjo ndodh në Republikën Qendroafrikane, vend i shkatërruar nga dhuna, ku Papa do të qëndrojë dy ditë. Të dëgjojmë kryeipeshkvin e Banguit, kreun e Konferencës ipeshkvnore të vendit, imzot Dieudonné Nzapalainga:

Ati i Shenjtë na vjen për vizitë: bariu vjen të takohet me të varfërit, të na ftojë për dialog e pajtim. Papa vjen tek ne para se të përurojë Jubileun e Mëshirës: kjo është premisa për agimin e ri, që duam për vendin tonë. Shpresojmë që Papa të na ndihmojë të kapërcejmë mëritë, urrejtjen dhe ndarjet, të na mësojë t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit, në emër të Zotit, për të sjellë pajtimin në Republikën Qendroafrikane. Bota duhet ta kuptojë se edhe në këtë vend ka njerëz, që e duan Zotin, që e duan njëri-tjetrin dhe vazhdojnë të punojnë së bashku. Me rastin e vizitës së Papës kemi thurur një lutje, e cila edhe këndohet. Tashmë çdo ditë, mediat i rezervojnë hapësira udhëtimit të Papës. Afrikanët presin mesazhin e tij të gëzimit e të pajtimit.

Nga tre vendet, që do të vizitojë Papa, sidomos Kenia është përfshirë në lojën e terroristëve. Ç’rol luan shtegtimi i Atit të Shenjtë në këtë rajon?

Në këto zona, siç dihet, shumë qendroafrikanë, keniotë dhe ugandezë janë besimtarë. Feja ekziston për t’i mundësuar njeriut takimin me Zotin, me vëllain. Feja nuk duhet të ndajë, të përçajë e të shkatërrojë. Mendoj se vizita e Atit të Shenjtë dhe mesazhi i tij i paqes janë një sinjal i fuqishëm për Afrikën e munduar, që popujt e saj të ecin së bashku drejt dialogut e pajtimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.