2015-09-11 11:48:00

Me 11 shtator kalendari Kishtar kujton Shenjtorët Proti e Jaçinti, martirë të Romës


Kalendari kishtar  i 11 shtatorit Kishtar kujton Shenjtorët Proti e Jaçinti, martirë të Romës. E vërteta historike e dy martirëve romak është një fakt i padiskutueshëm: përkujtimi i tyre në të vërtetë  kremtohet në Depositio martyrum të Romës, në Sakramentarin Gjelazian, në atë Gregorian, në Libra të ndryshëm e në Kalendarin prej mermeri të Napolit.

“Proti e Jaçinti qenë varrosur në varrezën e Basilës, në një varr në mur, të cilin papa Damasi, në shekullin e IV, e rregulloi. Pra e Premtja e Madhe e Pashkëve të vitit 1845 qe një nga ditët më të rëndësishme për historinë e arkeologjisë. Këtë ditë, rast më tepër i pashoq, sesa i rrallë, u gjet i paprekur, varri i një shenjti martir, që kishte këtë mbishkrim: “DP III IDUS SEPTEBR YACINTHUS MARTYR”.

Falë këtij zbulimi, u mësua, më në fund, ku kishin përfunduar reliket e dy prej shenjtorëve më popullor, Protit e Jaçintit, martirë romak. Prej shekujsh mendohej se reliket e dy shenjtorëve ruheshin në Romë, në Kishën e Shën Gjonit të fiorentinëve, ndërsa varri i paprekur, i vulosur, i tyre, u gjet në katakombën e Basilës, në perëndim të rrugës së re Salaria.

Pak më tej u zbulua edhe një copëz rrase, mbi të cilën shkruhej: “Varri i Shën Protit M.”, gjë që vërtetonte pandehmën se Proti duhet të ishte varrosur pranë Jaçintit. Rrasat duhet të jenë vendosur aty nga Papa Damasi i cili, pasi pastroi dheun e shembur pranë vendvarrimit të shenjtorëve vëllezër, vuri aty rrasën në fjalë. Përpjekjet për të hyrë në varrin e Shën Jaçintit përfunduan me rrënimin e tij të plotë. Megjithatë u arrit të mblidhen një grusht eshtra, që dukeshin si të djegura, ndërmjet të cilave, fije ari, mbetje të pëlhurës së çmuar, me të cilën ishin mbështjellur para se të zbrisnin në varr. Eshtrat e martirit u mbartën menjëherë në Kolegjin e Propaganda Fides, ndërsa studiuesit u bindën plotësisht për vërtetësinë e martirizimit të Shenjtorëve, që ishte trashëguar nga breznia në brezni në formën e gojëdhënës.

Sipas kësaj gojëdhëne, që vjen deri në ditët tona, Proti e Jaçinti ishin dy vëllezër eunukë. Skllevër të kthyer në fenë e krishterë, ata i përkisnin Eugjenies, bijë e fisnikut romak, Filipit, prefekt i Aleksandrisë së Egjiptit. Si u kthye edhe vajza në fe të Krishtit, ia dha dy vëllezërit Basilës, fisnike romake, e cila gjithashtu u kthye në fe të krishterë, falë mësimeve që mori prej tyre. Të paditur nga i fejuari i vajzës, u martirizuan të gjithë së bashku.
Ndonëse zbulimi i varrit nuk solli të reja mbi jetën dhe martirizimin e dy vëllezërve, për të cilët nuk kemi asnjë të dhënë, një gjë është e sigurt: Proti e Jaçinti janë martirë e si të tillë i kremton sot Kisha katolike.








All the contents on this site are copyrighted ©.