2015-09-11 19:27:00

Imzot Lucjan Avgustini: Shqipëria gjithnjë më tepër atdhe ekumenizmi e dialogu ndërfetar


Fjala e ipeshkvit të Sapës, imzot Lucjan Avgustini, mbajtur në njërin prej tryezave të diskutimit mbi temën “Paqja është gjithmonë e mundshme. Dialogu mes besimeve dhe kulturave”, të takimi ndërfetar, organizuar në Tiranë nga 6-8 shtator nga komuniteti Shën Egjidit. “Toleranca fetare e pranishme në Shqipëri gjatë shekujve, u ruajt edhe gjatë përhapjes së islamizmit në hapësirën shqiptare, sepse vazhduan të veprojnë pothuajse të njëjtët faktorë: territori i përbashkët, gjuha, traditat etnokulturore, lidhshmëria familjare apo farefisnore si dhe marrëdhëniet shpirtërore”, pohoi mes tjerash ipeshkvi imzot Lucjan Avgustini.

Më poshtë ju propozojmë intervistën e Programit Shqip të Radio Vatikanit me ipeshkvin imzot Lucjan Avgustinin mbi takimin  e përmendur që u mbajt në Tiranë e në vijim edhe fjalimin e ipeshkvit shqiptar, mbajtur po në të njëjtin takim ndërkombëtar.

Fjala e Imzot Lucjan Avgustinit

"Duke ju përshëndetur të gjithë të pranishmëve miq të nderuar, shprehi kënaqësinë dhe falënderimin për mundësinë e dhënë për të folur para këtij auditori të nderuar, duke e paraqitur bashkëjetesën fetare në Shqipëri, si një pasuri prej së cilës mund të mësojnë shumë popuj dhe vende të botës, në mënyrë të veçantë aty ku dominon urrejtja, jotoleranca dhe joharmonia ndërmjet besimeve.

Bashkëjetesa fetare tek shqiptarët nuk është një cilësi e zhvilluar në kohërat moderne dhe as e formuar me arsim dhe shkollë. Ajo është një traditë që vjen nga thellësia e shekujve. Kjo mënyrë e të jetuarit përbën një pasuri të çmuar për ne shqiptarët, por edhe një realitet pozitiv, me vlerë në rajonin ku jetojmë dhe më gjerë.

Në botën e sotme globale, vendi ynë i vogël, mund të paraqitet, jo me pasuri ekonomike, por me identitetin dhe vlerën e saj më të çmuar, e ajo është bashkëjetesa ndërfetare. Ky është kontributi ynë në pasurimin e shoqërisë globale, duke krijuar një mozaik të pasur vlerash, kulturash që e njohin, respektojnë dhe zhvillojnë njëra tjetrën.

Gjatë vizitës së bërë në Shqipëri në prill të vitit 1993, Shën Gjon Pali II tha: “Populli shqiptar, është për t’u marrë si shembull në këtë pikëpamje. Ku komunitetet fetare mbajnë një raport respekti reciprok dhe të një bashkëpunimi të njerëzishëm. Duhet mësuar arti i dialogut dhe i të dëgjuarit, qoftë edhe kur kjo duket e pamundur. Uroj që Shqipëria të bëhet përherë e më tepër atdheu i ekumenizmit dhe i dialogut ndërfetar. A ka lëvdatë më të denjë për ju, sesa të tregoheni me gisht nga Evropa dhe mbarë bota, si shembull dialogu, mospërdorimi të dhunës dhe mirëkuptimi fetar të ndërsjellë”.

Shqipëria është shtet laik dhe, sipas kushtetutës së vendit, shteti shqiptar nuk ka fe zyrtare. Shqiptarët janë një popull i vogël në krahasim me shumë popuj tjerë, por është i ndarë pjesë-pjesë në shtete të ndryshme ballkanike, ndërsa gjysma e popullit shqiptar jetojnë brenda kufijve të Shqipërisë.

Nga pikëpamja e përkatësisë fetare sot në Shqipëri jetojnë së bashku:

– të krishterët: ortodoksë, katolikë dhe ungjillorë – protestantë;

– myslimanët: bashkësia islame, ajo bektashiane etj

– Pastaj ka një përqindje të atyre të cilët nuk janë deklaruar pjesëtarë të ndonjë besimi, nuk janë ateistë, por ka edhe të deklaruar si ateistë;

– Një përqindje e vogël janë hebrenj si dhe pjesëtarë të besimeve dhe sekteve të ndryshme.

Populli shqiptar, duke qenë i vetëdijshëm se feja si një prej komponentëve shumë të rëndësishëm në jetën e tyre shpirtërore, luajti një rol të rëndësishëm në formimin e vetëdijes së tyre si popull dhe shoqëri, gjithmonë arriti që të ruante vlera shpirtërore, pa marrë parasysh se për cilin konfesion fetar bëhej fjalë, atë mysliman, të krishterë apo ortodoks. Bashkëjetesa, harmonia dhe toleranca midis feve të ndryshme është një karakteristik e veçantë si për të kaluarën, ashtu edhe të sotmen e shqiptarëve.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Zoti Bujar Nishani në fjalën përshëndetëse drejtuar Papës Françeskut, me rastin e vizitës së tij në Shqipëri, në shtator të vitit të kaluar, ndër të tjera tha: “Ne shqiptarët jemi një popull i vjetër, me vetëdije të fortë kombëtare, kemi një gjuhë po aq të rrënjosur e përbashkuese, tradita e zakone të njëjta, por i falemi Zotit në mënyra të ndryshme. Këtë akt themelor të jetës sonë e kemi bërë gjithmonë në paqe e harmoni me njëri-tjetrin. Ngrehinën tonë shpirtërore e përbëjnë Krishterimi me Islamin, këto dy besime të mëdha të botës, përkatësisht me Katolicizmin, Ortodoksinë, Muhamedanizmin sunit dhe atë bektashi, të cilat në gjirin e këtij populli të lashtë, bashkautor në ngjizjen e qytetërimeve mesdhetare, dinë veç të dialogojnë. Mes nesh nuk ka diskriminim, nuk ka intolerancë, nuk ka ekstremizëm, por respekt reciprok të trashëguar brez pas brezi, harmoni e barazi të plotë të komuniteteve fetare të garantuara nga Kushtetuta e shtetit tonë laik.”

Krishterimi u përhap në trojet ilire, pasardhësit e të cilëve janë shqiptarët, gjatë shekujve I-II. Vetë Shën Pali pohon këtë ne letrën e tij drejtuar Romakëve. Shqipëria ka qenë zona ku takoheshin dhe ndaheshin dy perandoritë më të mëdha të mesjetës: Roma dhe Bizanti. Po ashtu, Shqipëria ishte vendi ku takohej dhe ndahej autoriteti i dy kishave: asaj romane dhe bizantine. Dy perandoritë dhe dy kishat tek shqiptarët asnjëherë nuk u bënë shkak konflikti.

Nga fundi i mesjetës filloi islamizimi i një pjese të shqiptarëve. Me përhapjen e fesë islame në trevat shqiptare gjatë sundimit osman, u thellua më tej diversiteti fetar, gjë që potencialisht krijonte kushte për përçarje. Mirëpo kjo gjë nuk ndodhi. Toleranca fetare e pranishme në Shqipëri gjatë shekujve, u ruajt edhe gjatë përhapjes së islamizmit në hapësirën shqiptare, sepse vazhduan të veprojnë pothuajse të njëjtët faktorë: territori i përbashkët, gjuha, traditat etnokulturore, lidhshmëria familjare apo farefisnore si dhe marrëdhëniet shpirtërore.

Periudha e sundimit komunist ka qenë e egër dhe tepër armiqësore për sa u përket sjelljeve dhe qëndrimeve ndaj fesë. Diktatura u përpoq të asgjësonte besimin dhe të ngrinte në kult ateizmin. Feja u ndalua me ligj, ndërsa u mbyllën institucionet fetare. Sigurisht se kjo ideologji ateiste solli dëme të mëdha, por megjithatë besimi mbeti i gjallë në shpirtrat e njerëzve, për t’u rizgjuar me një fuqi të re në vitet paskomuniste.

Me shembjen e komunizmit në Shqipëri, me rihapjen e institucioneve fetare, myslimanë, ortodoksë dhe katolikë morën pjesë së bashku në rindërtimin e institucioneve fetare duke ndërtuar objektet e kultit, kisha dhe xhamia, por gjithashtu edhe duke marrë pjesë në ceremonitë fetare të krishtera apo islame.

Kështu ka vazhduar për shekuj me radhë bashkëjetesa dhe harmonia ndërfetare mes shqiptarëve, e sot ka mbërritur tek ne si një vlerë e madhe kombëtare e një populli të vogël. Por këtë vlerë të rrallë, duhet ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta promovojmë me të gjitha mënyrat, nëpërmjet arsimit, medias, etj., kudo qoftë, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Papa Françesku, në vizitën bërë vendit tonë në shtator të vitit të kaluar, në takim me krerët e komuniteteve fetare theksoi: “Shpirti njerëzor nuk duhet të humbasë shpresat, ndaj njerëzit mund të ofrojnë një kontribut të pazëvendësueshëm. Nuk mund të vlerësosh, nëse nuk nisesh nga identiteti. Pa identitet nuk ekziston dialog. Ajo që na bashkon është rruga e jetës dhe vullneti i mirë pra, është që ti bësh mirë vëllezërve dhe motrave, dhe në këtë mënyrë ne ecim përpara. Ndaj secili prej nesh ofron dëshminë tek tjetri. pra, me dialog ne ecim përpara, dhe është e bukur”. 

Feja nuk duhet të na ndajë. Nënë Tereza thoshte: “Jam e kënaqur nëse një hinduist është një hinduist i mirë, një budist është një budist i mirë, një i krishterë është një i krishterë i mirë, një mysliman është një mysliman i mirë”. Nëse e jetojmë jetën tonë me besim dhe shpresë dhe me respekt për njeri-tjetrin, bindjet tona fetare nuk do të jenë pengesë ose shkak për përçarje, por përkundrazi ato do të jenë një thesar brenda nesh që të gjenerojë vlera të reja. Nënë Tereza i respektonte të gjitha besimet, i respektonte njerëzit në bindjet e tyre duke i dashur të gjithë.

Po e përfundoj me disa mendime të Atë Anton Harapit, françeskanit të pushkatuar nga regjimi komunist, i cili në korrik të vitit 1944, në Korçe gjatë një ligjërate tha: “Jo se kërkohet prej shqiptarëve kristjanë e muslimanë të jenë të gjithë Shenjtën e Peigamberë, por po deshëm të jemi komb e shtet, lypet me doemos të jemi në atë shkallë kulture njerëzore e fetare, sa mjafton të rrojmë shoqnisht e vllaznisht. Shpirti i shqiptarit, me gjithë besimet e ndryshme, e ndien fuqishëm se në saje të një Zoti, Babë i mirë, i drejtë për të gjithë, na jemi vllazën, pse jemi të gjithë bijtë e një Zoti që na ka falë. Pra, Zoti i të gjithë néve, e na të gjithë të Zotit. Në themel të këtij imperativi na jemi një. Ja, pra, se kurrgja nuk vllaznon ma fort se Zoti. Zoti asht visari i përbashkët i të gjithë Shqiptarëve pa ndryshim. Në themel të këtij parimi rrjedh toleranca fetare, e cila mbështetet në kuptimin e kjartë: Muhamedani i biri i Zotit, kristjani i biri i Zotit, pra, vllazën; mbështetet ndër ndjesi të sinqerta: Porsi vllai për vllain të ndjejmë njeni për tjetrin; mbështetet në nderimin reciprok për bindjet fetare të shoqi-shoqit”.

Ne jemi të ndërgjegjshëm se vlerat nuk janë të përjetshme, ato duhen ruajtur e kultivuar në mentalitetin e qytetarëve, kulturën demokratike dhe përmirësimit të vazhdueshëm. Toleranca e dialogu duhet të përfaqësohen në vendin tonë në mënyrën më të mirë që të jemi shembull për mbarë botën, ashtu si në të kaluarën tonë".

(Ligjëratë e mbajtur në Takimin Ndërkombëtarë “Paqja është gjithmonë e mundshme – religjionet dhe kulturat në dialog”, 6-8 shtator 2015, Tiranë)








All the contents on this site are copyrighted ©.