2015-09-10 14:00:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: për çfarë duhet të merremi vesh?


Të dashur dëgjues, në përgatitje për Sinodin e Familjes, që do të mbahet në tetor, kemi filluar një cikël kushtuar pikërisht kësaj qelize të rëndësishme të shoqërisë. Javës së kaluar reflektuam mbi faktin se martesa është si një biçikletë dyshe, së cilës duhet t’i japin të dy bashkëshortët, përndryshe nuk ecën përpara. Sot, do të vemë në dukje aspektet e jetës mbi të cilat çifti duhet të jetë i një mendjeje, pavarësisht nga ndryshimet e nga opinionet e ndryshme, që mund të kenë si burri, ashtu edhe gruaja. Këto e pasurojnë martesën dhe jetën e përbashkët, e cila, gjithsesi, ka nevojë për një bazë të njëjtë ku të mbështeten shtyllat e shtëpisë bashkëshortore.

         Ka realitete, për të cilat është tejet e rëndësishme të dihet se ç’mendon partneri yt, sepse mbi to ndërtohet jeta e dashuria. Për shembull, duhet ta pyesim sinqerisht njëri-tjetrin si e kuptojmë jetën. Për disa, jetesa ka shijen e qartë të përgjigjes ndaj thirrjes së Zotit e mund të kthehet në një lloj “misioni ekzistencial”. Nëse njëri prej të dyve nuk e vlerëson jetën si “mision”, ose nuk e pranon këtë ide, është mirë të mbahet parasysh në vendimet e mëvonshme.

         Pastaj, vjen konsiderata, që kemi për martesën. Shumë martesa kanë zona të errta, që nuk janë të përbashkëta për të dy bashkëshortët. Ata duken si dy individë të ndryshëm, që ecin në dy rrugë paralele… Nëse nga njëri prej të dyve, martesa konsiderohet si një lloj “prove rezistence”, me mundësinë e ndarjes e të divorcit në rast se nuk “reziston” më, është e qartë se nga ky botëkuptim lindin një sërë problematikash, për të mos u lënë mënjanë.

         Një faktor i tretë i rëndësishëm është mirëkuptimi përsa u përket fëmijëve. Çdo martesë përmban në vetvete mundësinë për të lindur fëmijë. Nëse, gjatë bisedës me partnerin për këtë argument, vini re se nuk ka dëshirë të flasë për fëmijët apo irritohet e përpiqet t’i ikë debatit, mendohuni seriozisht me kë po martoheni. Nëse njëri nga bashkëshortët i dëshiron fëmijët e tjetri no, problemi është mëse serioz.

         Jo gjithnjë flitet për këtë, por një problem tjetër është qëndrimi ndaj fesë. Bashkëshortët mund të jenë edhe të feve të ndryshme, kjo nuk e pengon dashurinë bashkëshortore. Por mund të kthehet në problem të rëndë, nëse njëri përpiqet të mbizotërojë mbi tjetrin, pa e respektuar e, madje, e detyron të kthehet në fenë e vet.

         Gjithnjë duhet kujtuar se martesa është bashkim jete e dashurie, që ka për qëllim të mirën e bashkëshortëve, lindjen e fëmijëve dhe edukimin e tyre. Është një “pakt”, që përsërit dhe e bën aktuale besëlidhjen e Zotit me popullin e vet, aleancën e Krishtit me Kishën e vet.








All the contents on this site are copyrighted ©.