2015-09-09 14:52:00

Imzot Gallagher: dialogu ndërfetar, ilaç kundër terrorizmit


“Vlera e jetës, dinjiteti njerëzor, liria fetare, paqja dhe harmonia ndërmjet njerëzve dhe popujve”: këto janë në lojë para dhunimit të të drejtave të njeriut e të së drejtës ndërkombëtare humanitare nga ana e të ashtuquajturit Shtetit Islamik dhe e palëve të tjera të përfshira në konfliktin e Lindjes së Mesme. Fjalët janë të Sekretarit vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, i cili ndërhyri dje në Paris në Konferencën mbi viktimat e dhunës etnike e fetare në Lindjen e Mesme. Tre, aspektet e nënvizuara nga përfaqësuesi i Vatikanit: “Krijimi i vetëdijes në bashkësinë ndërkombëtare për të përballuar emergjencën humanitare dhe për të garantuar kushte minimale sigurie për pakicat e për bashkësitë e krishtera; garantimi i të drejtave të refugjatëve për t’u kthyer në atdhe e për të jetuar me dinjitet e siguri; përballimi i fenomenit të terrorizmit dhe promovimi i dialogut ndërfetar”.

         Imzot Gallagher kërkoi që shtetet e Lindjes së Mesme - ku liria e kultit dhe liria e fesë, që përmban edhe të drejtën për të ndërruar fe, është shpesh e kufizuar, ose mungon krejtësisht – të përfshihen së bashku me bashkësinë ndërkombëtare në mbrotjen e të drejtave themelore të të krishterëve dhe të pakicave të tjera fetare. Ai kujtoi edhe rëndësinë e edukimit në luftën kundër terrorizmit, në të cilën duhet të marrin pjesë edhe shkollat, interneti e sidomos krerët fetarë me predikimet e tyre, që duhet të promovojnë dialogun dhe pajtimin. Ndarja ndërmjet fesë e shtetit dhe dialogu ndërfetar janë dy mjete, me të cilat mund të luftohet fundamentalizmi, sipas Sekretarit vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet.








All the contents on this site are copyrighted ©.