2015-09-09 18:11:00

Dekani i Rotës Romake: reforma ndihmon të divorcuarit e rimartuar


Me ndryshimet e normave të së drejtës kishtare kanonike për deklarimin e pavlefshmërisë së sakramentit të martesës - një revolucion i vërtetë procedural gjyqësor, që do të hyjë në fuqi më 8 dhjetor, ditën e hapjes së Jubileut të Mëshirës - Papa Françesku fillon vërtet reformat e papnisë së tij. Kështu shkruan në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, dekani i “Rotës Romake”, Gjykatës së Selisë së Shenjtë, imzot Pio Vito Pinto, i cili ka kryesuar Komisionin, që për një vit hartoi tekstet e reja. Para se t’i miratonte, Papa Françesku u konsultua edhe me katër ekspertë të tjerë.

 

Ndryshimi, që dëshiron Bergoglio, nënvizon imzot Pinto, “vë në qendër të varfrit, pra, të divorcuarit e rimartuar që mbahen e konsiderohen të largët me Kishën. Ai u kërkon ipeshkvijve një kthim të vërtetë, një ndryshim të mendësisë” ndaj këtyre njerëzve. Papa Françesku, vijon më tej imzot Pinto, i këshillon ipeshkvijtë e mbarë botës të shohin numrin e të palumturve, që mund të marrin deklaratën e pavlefshmërisë, sepse u mungonte feja e nevojshme për të kuptuar sakramentin e martesës në Kishë. E kanë kremtuar atë vetëm e vetëm për t’i bërë qejfin bashkëshortit, apo për traditë. Të tillët janë jashtë sistemit aktual.

“Françesku – shkruan imzot Pinto – Papë, e shërbëtor i shërbëtorëve, u kërkon ipeshkvijve ta ushtrojnë e ta jetojnë pushtetin e tyre sakramental, marrë jo nga shën Pjetri, por nga Shpirti Shenjt Zot, duke kryer shërbimin e diakronisë (të shërbimit) për shpëtimin e shpirtrave të besimtarëve e duke u bërë të gatshëm t’i dëgjojnë, në kohët dhe mënyrat, që theksojnë vlerën e mëshirës e të drejtësisë”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.