2015-09-08 14:28:00

Motrat Majlinda Topalli e Vera Brozi bënë kushtet e përjetshme


“Më ke thirrur, ja ku jam, o Zot!” Me përgjigjen në këtë festë të Hyjit, në ditën e festës së pajtores qiellore të Katedrales Nënë Tereza të Vaut-Dejës, në fillim të shtatorit 2015, dy motra rregulltare të ‘Motrave Apostulle të Zemrës së Shenjtë të Jezusit’, motrat Majlinda Topalli e Vera Brozi bënë kushtet e tyre të përjetshme në jetën e përkushtuar rregulltare. Më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit.

KUSHTIMI I PËRJETSHËM I MOTËR MAJLINDA TOPALLI E VERA BROZI

Familja e Motrave Apostulle të Zemrës së Shenjtë të Jezusit, e themeluar nga Nënë Klelia Merloni, me gëzim dhe falenderim të madh ndaj Zotit gëzuan në Kushtimin e përjetshëm të Motër Majlinda Topallit dhe Vera Brozit.

Ceremonia e kushtimit u mbajt në ditën e festës së pajtores së Katedrales Nënë Terezes në Vau-Dejës, që na bashkoi edhe në gëzimin tjetër duke kujtuar të Lumen Nënë Tereza, ku ishin të pranishëm edhe miqtë e saj, Personat me Aftësi Ndryshe.

Për këto dy ngjarje të rëndësishme për Kishën e Sapës, ipeshkvi i vendit, Imzot Lucjan Avgustini kryesoi eukaristinë shenjtë në bashkëkremtim me meshtarë të tjerë të dioqezës së Sapës dhe Shkodrës. Besimtarë, meshtarë e motra të kongregatave të ndryshme, të bashkuar në emrin e Zotit u mblodhën në kishën katedrale duke ofruar dhuratën e çmuar të lutjes në falenderim ndaj Zotit për dhuratën e jetës dhe thirrjes së këtyre motrave. Në proçesionin e hyrjes Motër Majlinda dhe Motër Vera iu afruan altarit me një llambë të ndezur, e cila simbolizon besimin e tyre dhe dëshirën për t’iu dorëzuar Hyjit në besnikëri të përjetshme.

Gjatë homelisë së tij, Imzot Lucjani tha se motër Majlinda dhe motër Vera që sot shpallin për gjithë jetën e tyre kushtet Ungjillore të pastërtisë, varfërisë dhe bindjes e gjejnë forcën në Eukaristi, në lutjen liturgjike, në ballafaqimin e Fjalës së Hyjit, në kthimin e sinqertë vetjak dhe në jetën e bashkësisë, nën mbrojtjen e Virgjërës Mari. Duke vazhduar më tej ipeshkvi tha se bota ka nevojë për persona, të cilët e bëjnë dashurinë e Zotit realitet të jetës. I kushtuari është i thirrur ta jetojë ekzistencën e vet për dashuri ndaj Krishtit.

Në këtë homeli, Ipeshkvi i Sapës kujtoj edhe jetën dhe veprën e Nënë Terezes, që me dëshminë e saj na kujton se misioni ungjillëzues i Kishës kalon nëpërmjet dashurisë e bamirësisë së krishterë, e cila ushqehet me lutje, me dëgjimin e Fjalës së Zotit dhe në mënyrë të veçantë me kremtimin e eukaristisë dhe adhurimin para Krishtit.

Pas homelisë kremtimi vazhdoi me ritin e kushtimit. Motrat Majlinda Topalli e Vera Brozi me vullnet të lirë u përgjigjën: “Më ke thirrur, ja ku jam, o Zot!” Të gjunjëzuara dhe në duart e motrës Gjenerale, Motër Chiara Milea,  nëpërmjet formulës së kushtimit, me vendimin e tyre, u betuan se do të qëndrojnë besnike deri në vdekje, duke ecur pas Krishtit, sipas Kushtetutës së Kongregatës të Apostulleve të Zemrës së Shenjtë të Jezusit. Prania e motrave janë një bekim i madhe i Zotit për Kishën tonë. Ato shërbejnë me përvujtëri dhe dashuri në shumë fusha të jetës kishtare. 








All the contents on this site are copyrighted ©.