2015-09-08 17:42:00

Dioqezat evropiane mobilizohen për t’iu përgjigjur thirrjes së Papës për refugjatët


Të bëhet ç’është e mundur për t’iu përgjigjur shpejt e si duhet thirrjes së Papës për të mirëpritur refugjatët. Të njëzëshme, reagimet e dioqezave, të institucioneve e të lëvizjeve katolike në të gjithë Evropën për të pritur në çdo famulli, bashkësi fetare, kuvend apo shenjtërore, një familje refugjatësh.

Itali, kryeipeshkvi i Milanos dhe Patriarku i Venedikut u shkruajnë besimtarëve të presin të huajt, siç u ka hije të krishterëve. E përveç vënies në dispozicion të strukturave kishtare, nëse besimtarët kanë apartamente të padhëna me qera, t’i përdorin për mikpritjen e refugjatëve. Veprimi Katolik Italian mobilizohet për të gjetur rrugët konkrete të mikpritjes, duke bërë thirrje që askush të mos bjerë pre e frikës nga të huajt.

Francë, pas deklaratës së Konferencës Ipeshkvnore mbi vdekjen e vogëlushit Aylan me titull “Ju lutemi, kjo që ndodhi të mos përsëritet kurrë më!”, shumë ipeshkvij u dhanë dispozita famullive për të organizuar mikpritjen.

Kryeipeshkvi i Vjenës, kardinali Christoph Schonborn shkoi personalisht në kufirin me Hungarinë, në Nickelsdorf, për t’u takuar me refugjatët dhe me vullnetarët që po i ndihmojnë.

Ditë më parë, Konferenca Ipeshkvnore Hungareze nxiti institucionet e veta bamirëse për të gjetur mënyra më të frytshme në dhënien e ndihmës për refugjatët, në bashkëpunim me entet publike.

Dje, kreu i episkopatit polak, imzot Stanislav Gadecki u kërkoi famullive të përgatitet për pritjen e emigrantëve të persekutuar, duke u dhënë atyre mundësinë të fillojnë një jetë të re.

Belgjikë, në Caritas Internationalis mbërritën 250 oferta nga pronarë, të cilët do të vënë në dispozicion apartamentet për refugjatët. Pasi të dokumentohet statusi i refugjatit, vetë autoritetet kompetente do të administrojnë banesat. 








All the contents on this site are copyrighted ©.