2015-09-07 14:20:00

Papa: të krishterët e persekutuar, në heshtjen e fuqive të mëdha


Sot, shumë të krishterë vazhdojnë të persekutohen, ndërsa fuqitë e mëdha heshtin, duke u bërë bashkëfajtore: kështu tha Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Ishte i pranishëm Patriarku i ri i Cilicës së Armenëve, Gregor Pjetri XX Gabrojan, të cilit Papa i pati dhënë bashkimin kishtar, me një letër, më 25 korrik. Patriarku bashkëkremtoi me Atin e Shenjtë, duke kryer ritin e shkëmbimit të Bukës e të Verës së shuguruar, gjë që konfirmon rrënjët eukaristike të bashkimit ndërmjet Ipeshkvit të Romës dhe Kishës armene. Kremtoi meshën edhe prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri, si edhe ipeshkvijtë-anëtarë të Sinodit armen.

         Gjatë homelisë, Papa Françesku mori shkas nga episodi ungjillor, në të cilin skribët dhe farisenjtë shkandullohen prej Jezusit, që bën mrekulli ditën e shtunë, e diskutojnë si ta vrasin. Ati i Shenjtë foli për persekutimin e të krishterëve, ndoshta më i madh sot, se në kohët e para të krishterimit:

         “Nuk ka krishterim pa persekutim! Kujtojeni lumninë e fundit: do t’ju çojnë në sinagoga, do t’ju persekutojnë, do t’ju përqeshin… ky është fati i të krishterit. E sot, para këtij fakti, që ndodh në botë, me heshtjen bashkëfajtore të shumë fuqive të mëdha, të cilat mund ta ndalonin, ndodhemi pikërisht para fatit të të krishterit. Ecim në të njëjtën udhë me Jezusin”.

         Papa kujtoi persekutimin e armenëve, i cili akoma nuk konsiderohet genocid nga të gjitha shtetet:

         “Kombi i parë, që u kthye në krishterim: i pari. I persekutuar vetëm sepse ishte i krishterë. Ne sot, lexojmë nëpër gazeta e ndjejmë tmerr për çka bëjnë grupet terroriste, të cilët i presin njerëzit në fyt vetëm sepse janë të krishterë… Të mendojmë për martirët egjiptianë, në brigjet e Libisë, që u therën ndërsa shqiptonin emrin e Jezusit”.

         Ati i Shenjtë përmendi historinë e armenëve të përzënë nga atdheu prej otomanëve, pa ndihmë, në mesin e shkretëtirës. U tha ipeshkvijve dhe Patriarkut t’i kujtojnë këta martirë e shenjtorë, vdekur nga uria, të ftohtët e torturat. U lut që Zoti t’i shndrisë mendjet për të kuptuar misterin e Zotit në Krishtin e t’i ndihmojë të gjithë të mbartin Kryqin e persekutimit:

         “Zoti na dhashtë ta ndjejmë dashurinë për martirët në gjithë Korpin e Kishës. Ne nuk e dimë ç’do të ndodhë këtu. Nuk e dimë! Por Zoti na dhashtë hirin që, nëse një ditë, persekutimi të ndodhë këtu, të kemi guximin dhe të japim dëshminë, që dhanë këta të krishterë martirë e sidomos, të krishterët e popullit armen”.








All the contents on this site are copyrighted ©.