2015-09-06 12:30:00

Shenjtorët e Javës 6-13 shtator


E diel 6 shtator, Kisha katolike kremton të dielën e 23-të gjatë vitit kishtar. Gjithnjë më 6 shtator kalendari kishtar përkujton shën Zakarinë profet, shën Onesiforin, dishepull i shën Palit Apostull.

Ungjilli i kësaj së diele rrëfen shërimin e shurdhmemecit nga ana e Jezusit. “Hapu”, i thotë Krishti. E po ta shohim drejtë, sëmundja e vërtetë është mungesa e marrëdhënieve. Edhe ne e marrin këtë ftesë: që forca e Ungjillit na ndihmoftë të hapemi ndaj kultivimit të marrëdhënieve të vërteta ndërnjerëzore, marrëdhënieve tokësore e shpirtërore.

Të hënën më 7 shtator, kalendarit kishtar përkujton shën Regjinën, virgjër e martire dhe shën Guidon, ipeshkëv të Areco-s.

Të martën me 8 shtator, Kisha katolike kremton festën e të Lindurit të Virgjërës Mari, Zojës së Papërlyer. Kjo festë te populli shqiptar njihet me emrin ‘Zoja e Vogël’. Zoti ka vënë në të burimet e jetës, është e zgjedhura mbi të gjitha gratë. Jezu Krishti është mishëruar në kraharorin virgjëror të një vajze, në një vend të vogël të Galilesë; është lindur në Betlehem, në një vend të thjeshtë të Judesë, e në shtëpinë e varfër të Nazaretit është rritur duke vënë themelet e misionit shpëtimtar. Gjithnjë më 8 shtator, kalendari kishtar kujton edhe shën Sergjin I, papë.

Të mërkurën më 9 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Pjetrin Klaver, meshtar jezuit, apostull ndër zezakë të internuar; shën Gorgonin, martir.

Të enjten më 10 shtator, kalendari kishtar kujton shën Nikollën Tolentino, meshtar rregulltar agostinian;

Të premten më 11 shtator, kalendari kishtar kujton shën Protin e Jacintin, martirë.

Të shtunën më 12 shtator, kalendari kishtar kujton festën e Emrit të Shenjtë të Virgjërës Mari, si dhe shën Guidon nga Brabanti e Shën Silvanin e Veronës.

Të dielën e ardhshme më 13 shtator, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 24-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë më 13 shtator kalendari kishtar përkujton shën Gjon Gojartin apo Krizostomin, ipeshkëv e doktor i Kishës.

Ungjilli i kësaj së diele do të na ftojë të ndjekim Jezu Krishtin në udhën e përditshme duke përshkuar gjurmët e Tij, që të çojnë në lavdi përmes kryqit.








All the contents on this site are copyrighted ©.