2015-09-04 15:49:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 23-të gjatë vitit ‘B’


Ja në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku, leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 23-të gjatë vitit kishtar, sipas liturgjisë kishtare.

Askush nuk përjashtohet nga gëzimi i Zotit. Popullit të Izraelit të mërguar në Babiloni, profeti Izaia i kumton një të ardhme të mrekullueshme, të ngjashme me rilulëzimin e Edenit të ri ( I Lexim). Por nuk ndalur vetëm në premtimin e kthimit nga mërgimi. Ky kumtim vërtet hapet ndaj premtimeve të kthimit përfundimtar nga ekzistenca toksore në plotësinë e jetës në Jezu Krishtin.

Domethënës është tregimi i mrekullisë së rrëfyer nga Ungjilli të kësaj së diele nga Marku: një shurdhmemec që jeton në territorin pagan, siç ishte ai i Dekapolit (në greqisht, “dhjetë qytetet”), shërohet nga Jezusi me forcën e fjalës së vet (“Hapu!”, që ungjilltari e sjell në gjuhën e Jezusit: Effatà) e me fuqinë e veprës së vet (“ai vuri gishtat në sy e me pështymë të vet ia preku gjuhën”). Gjithë kjo, vërtet, duket se paralajmëron shërimin total që na ofron sakramenti i Pagëzimit, fillim i jetës së krishterë. Jakobi apostull ( II Lexim) na nxit të jemi të krishterë të vërtetë në jetën e përditshme: jeta jonë e krishterë duhet të ruhet nga vëmendja e kujdesi i pamerituar ndaj të pasurve e nga ftohtësia jonë ndaj të varfërve. Zoti nuk bënë dallime e nuk ka preferenca, vëmendja e tij Hyjnore është posaçërisht ndaj të varfërve e të mënjanuarve.

Pra, Hyji i zgjodhi ata njerëz që për sy të botës janë skamnorë, për t’i bërë trashëgimtarë të Mbretërisë Hyjnore. Kështu pohon shën Jakobi (Jk 2,1-5) në leximin e dytë të liturgjisë së Fjalës të kësaj së diele. Ndërsa pjesa e Ungjillit nga Marku (Mk 7,31-27) na tregon se Jezusi ‘hapë’ mundësi të reja të jetës. Fuqia e pushtetit hyjnor, që askush nuk mund ta arrinte, vet Hyji bëri në mënyrë që përmes Jezu Krishtit, njeriu të mund ta gëzonte e përjetonte atë.

Fragmenti i Ungjillit të kësaj së diele na paraqet një njeri shurdhmemec, që nuk ishte në gjendje të kërkonte as ndihmë e të dëgjonte ndonjë fjalë, as sa për ngushëllim. Por takimi tij me Krishtin i dhuron shërimin. Pra, është pikërisht takimi  me Jezusin ai që na bënë më të aftë të dëgjojmë e të flasim, të pranojmë e të dhurojmë, në një komunikim dashamirësie e respekti të ndërsjellët. E mos të harrojmë se ekzistojnë jo vetëm shurdhmemec të natyrës fizike por edhe të natyrës shpirtërore.

Nëse Hyji është i mirë, pse jetojmë vazhdimisht përvoja të ndryshme plot vuajtjeje fizike, morale dhe shpirtërore? Jezusi e ka për zemër jo vetëm shërimin fizik, por e do çlirimin e plotë të njeriut. Ai "e ndau shurdhmemecin veçmas, larg nga turma", sepse nuk ka ndërmend të kryejë një akt madhështor që nxit duartrokitje e mahnitje. Pastaj "ia vendos gishtat në veshë e me pështymë ia prek gjuhën". Meqë shurdhmemeci nuk mund të kuptonte fjalët, Jezusi bën disa gjeste për t’i bërë të kuptojë që ka ndërmend ta shërojë e që është një dhuratë e madhe të takojë Atë, shumë më para se sa të shërohet. Jezusi "shikon drejt qiellit", duke shprehur marrëdhënien e tij me Hyjin me vrullin e lutjes. Dhe "psherëtiu thellësisht": shenjë e pjesëmarrjes së tij personale në vuajtje njerëzore. Menjëherë shqipton fjalën "Effatà, domethënë: Hapu!". Ky urdhër nuk u drejtohet organeve të sëmura (veshëve dhe gjuhës), por personit shurdhmemec. Nuk është vetëm një pjesë e trupit që kurohet, por gjithmonë i tërë personi. Shërimi vjen nga Fjala e Jezusit, është një fitore kundër fuqisë së keqe në të gjitha përmasat e saj.

Edhe mua sot Jezusi më thotë: hapu për të dëgjuar dhe për të pranuar mësimet e Ungjillit. Çdo të diel bashkësia jonë kishtare mblidhet për t’u shëruar nga çdo e keqe, por sidomos mblidhet për t’i hapur veshët dhe për të hapur gojën, duke kënduar mëshirën e Zotit e dashurinë e Tij Hyjnore për çdo njeri e krijesë.

Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi I nga Is 35,4-7a
Isaia na tregon efektet e pranisë së Hyjit mes njerëzve: pranvera lulëzon, kthehet guximi, një popull rigjen lirinë e tij, të mërguarit kthehen në atdhe, sytë e të verbrit hapen, shurdhi mund të dëgjojë, memecit i zgjidhet gjuha. Të gjitha këto Jezusi i kreu duke na zbuluar dashurinë e Atit.

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Thoni atyre që i ka lëshuar zemra: “Mbahuni! Frikë mos kini! Ja, Hyji juaj! Erdhi hakmarrja! Ia behi shpagimi i Hyjit! Vetë do të vijë e do t’ju shëlbojë!” Atëherë sytë do t’u çelen të verbërve, veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë; atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri, gjuha e të pagojit do të shpërthejë në hare, se në shkretëtirë do të burojnë ujërat, përrenjtë do të rrjedhin nëpër shkreti. Toka e shkrumbuar liqen do të bëhet, vendi i thatë burime! Në strofuj ku strukej çakalli, do të rritet kallam e xunkth. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 145/146, 7-10
Lavdëroje, shpirti im, Zotin
.

Zoti e mban besnikërinë për amshim,
u jep të drejtën të nëpërkëmburve,
u jep ushqim të uriturve.
Zoti i çliron robërit.

Zoti u jep dritën e syve të verbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët,
Zoti i mbron ardhacakët.

U ndihmon bonjakëve e të vejave,
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
Zoti do të mbretërojë për jetë,
Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.

Leximi dytë nga Jakobi 2,1-5
Jakobi denoncon skandalin e një bashkësie të krishterë që vlerëson më shumë pozicionet shoqërore të personave në kundërshtim me mësimin e Jezusit. Kisha e të pasurve interesohet për të varfrit, por vetëm për t’i përdorur si një instrument për lavdinë e tyre. Nëse kisha mbetet kisha e të pasurve nuk mund t’i dojë të varfrit me të vërtetë. Për t’i dashur duhet të bëhet kisha e shërbimit, duke imituar themeluesin e saj, që nga zotëri u bë shërbëtor.

Lexim prej Letrës së shën Jakobit apostull

Vëllezër të mi, mos e përzini fenë e Zotit tonë Jezu Krishtit të madhërueshëm me krahmbajtje! Sepse, po bëri e hyri në mbledhjen tuaj një njeri me unazë ari, i veshur në mënyrë të shkëlqyeshme e, po hyri një skamnor me petka të vjetruara, e ju e rrethoni me nderime atë që është i veshur bukur dhe i thoni: “Urdhëro! Ti ulu këtu lirisht!”, ndërsa skamnorit i thoni: “Rri atje, në këmbë!” ose: “Ulu këtu, poshtë, te këmbët e stolit tim!”, a nuk gjykuat ju në vetvete me krahmbajtje dhe a nuk u bëtë gjykatës që gjykojnë për së mbrapshti? Dëgjoni, vëllezër të mi të dashur! A nuk i zgjodhi Hyji ata që për sy të botës janë skamnorë për t’i bërë të pasur në fe dhe trashëgimtarë të Mbretërisë që ua ka premtuar atyre që e duan? Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja.
Gjithçka bëri mirë!
Ky po bën të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët!
Aleluja.

Ungjilli Mk 7, 31-37

Jezusi ka shkuar në krahinën pagane të Tirit, sepse farisenjtë, të shurdhër ndaj Ungjillit e pengonin Jezusin të fliste. Në këtë kontekst kryhet mrekullia e shurdhit që ka një vlerë simbolike për farisenjtë që janë të shurdhër ndaj mësimit të Jezusit. Ja misteri i Fjalës së Jezusit që mbyll veshët e atij që nuk do ta dëgjojë, por zgjidh gjuhën e atij që dëshiron të shërohet.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Jezusi doli prapë nga krahina e Tirit, e nëpër Sidon, erdhi drejt detit të Galilesë në krahinat e Dekapolit. Ia sollën një shurdhaman që mezi fliste dhe iu lutën ta vërë dorën mbi të. Ai e ndau prej popullit veçmas, ia shtiu gishtërinjtë e vet në veshë, me pështymë të vet ia preku gjuhën, i drejtoi sytë kah qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha” – që do të thotë: “Çelu!” E menjëherë iu çelën veshët e iu zgjidh pengesa e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.
Jezusi u urdhëroi të mos i tregojnë askujt. Por, sa më tepër që ai ua ndalonte, ata aq më tepër e shpallnin. Të mrekulluar mbi çdo masë thoshin: “Gjithçka bëri mirë! Ky po bën të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët!” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni edhe këtu..








All the contents on this site are copyrighted ©.