2015-09-03 14:12:00

Papa takon presidentin izraelit Rivlin: sfida është paqja


Papa priti sot, në Pallatin Apostolik të Vatikanit, presidentin izraelit Reuven Rivlin i cili, më pas, u takua edhe me sekretarin e Shtetit, kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Gallagher:

“Gjatë bisedimeve të përzemërta – njofton një notë e Sallës vatikanse të Shtypit - u fol për situatën në Lindjen e Mesme, ku vijojnë konfliktet, me vëmendje të veçantë për gjendjen e të krishterëve dhe të pakicave të tjera. Lidhur me këtë, u theksua edhe një herë rëndësia e dialogut ndërfetar dhe përgjegjësia e liderëve fetarë për sigurimin e pajtimit e të paqes. U vu në dukje edhe nevoja si dhe urgjenca për promovimin e klimës së besimit ndërmjet izraelitëve e palestinezëve dhe për rifillimin bisedimeve të drejtpërdrejta, për të arritur në një marrëveshje, që i respekton shpresat e ligjshme të të dy popujve, si kontribut themelor për paqen e stabilitetin në rajon.

U fol edhe për disa çështje lidhur me marrëdhëniet ndërmjet shtetit të Izraelit e Selisë së Shenjtë si dhe ndërmjet Autoriteteve shtetërore dhe bashkësive katolike vendase, duke uruar të përfundojë sa më shpejt  Marrëveshja dypalëshe në vijim si dhe të gjindet rrugëzgjidhja e përshtatshme për disa çështje me interes të përbashkët”.   








All the contents on this site are copyrighted ©.