2015-09-03 14:17:00

Françesku: përvujtëria e mahnitja e hapin zemrën për takimin me Jezusin


Aftësia për t’i pranuar mëkatet na i hap zemrat për mahnitjen e takimit me Jezusin: këtë tha Papa gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, ditën e festës liturgjike të Shën Gregorit të Madh, Papë e Doktor i Kishës.

Dy mënyrat për ta takuar Jezusin

Duke komentuar Ungjillin e ditës për peshkimin e mrekullueshëm, me Pjetrin, që hedh rrjetat, duke i besuar Jezusit edhe pas natës së kaluar pa zënë asnjë peshk, Papa foli për fenë, parë si takim me Zotin. Mbi të gjitha, pohoi, më pëlqen të mendoj se Jezusi e kalonte pjesën më të madhe të kohës rrugëve, me njerëzit; pastaj, në mbrëmje vonë, shkonte të lutej vetëm. Ai i takonte njerëzit, i kërkonte. Ndërsa ne kemi dy mënyra për ta takuar Zotin. E para është ajo e Pjetrit, e apostujve, e popullit:

“Ungjilli përdor të njëjtën fjalë për këta njerëz, për popullin, për apostujt, për Pjetrin: kishin mbetur të mahnitur. Mahnitja i kishte pushtuar Pjetrin e gjithë të tjerët’. E populli dëgjonte Jezusin dhe e ndjente këtë mahnitje, e ç’thoshte pastaj: ‘Po ky flet me autoritet. S’ është dëgjuar kurrë që ndonjë njeri të flasë kështu!’. Një grup tjetër, që takonte Jezusin, nuk ia hapte zemrën mahnitjes, e dëgjonte, por sipas hesapeve të veta. Ishin doktorët e ligjit: ‘I zgjuar, ky njeri, thotë gjëra të vërteta, po ne nuk na shkojnë për shtat fjalët, as veprat e Tij, apo jo? Bënin llogari, largoheshin nga Ai, sepse fjalët e Tij u binin ndesh punëve të tyre”.

Edhe demonët e dinë se Jezusi është Biri i Zotit

Deri vetë demonët, vërejti Papa, pohonin, a më mirë të themi shpallnin, se Jezusi ishte “Biri i Zotit”, por, ashtu si doktorët e ligjit e farizenjtë e këqij, nuk e kishin aftësinë e mahnitjes, ishin  të mbyllur brenda vetes, brenda fodullëkut të tyre. Pjetri  e njeh Jezusin si Mesi, por pranon edhe se ai vetë është mëkatar:

“Demonët arrijnë ta thonë të vërtetën për Të, por për vetveten nuk thonë asgjë. Nuk munden: fodullëku i tyre është aq i madh, sa i pengon të hapin gojë. Doktorët e ligjit thonë: ‘Po ky është i zgjuar, është rabin i zoti, bën edhe mrekulli, e?’. Po nuk thonë: “Ne jemi mendjemëdhenj, nuk jemi të aftë, jemi mëkatarë’. Paaftësia për t’i pranuar mëkatet na largon nga dëshmimi i vërtetë i Jezu Krishtit. E ky është ndryshimi”.

E lehtë të thuash se Jezusi është Zot, e vështirë t’i pranosh mëkatet

Është ndryshimi ndërmjet përvujtërisë së publikanit, që i pranon mëkatet e veta, e krenarisë së farizeut, përplot me vetveten aq, sa të mos ketë vend për Zotin:

“Kjo aftësi e pranimit të mëkateve, na i hap zemrat për mahnitjen e takimit me Jezusin, takim i vërtetë. Edhe në famullitë tona, në shoqërinë tonë, edhe ndërmjet njerëzve të kushtuar Zotit: sa njerëz janë të aftë për të thënë se Jezusi është Zoti? Shumë! Po sa vështirë është të thuash sinqerisht: ‘Unë jam mëkatar, jam mëkatare!’”.

Është me e lehtë të flasësh për të tjerët, sesa për veten, apo jo? Kur i merr nëpër gojë? Për këtë të gjithë bëhemi menjëherë doktorë të ligjit. Për t’u takuar me të vërtetë me Jezusin, është i nevojshëm pohimi i dyfishtë: “Ti je Biri i Zotit e unë jam mëkatar. Por jo teorikisht: duhet thënë jam mëkatar për këtë e këtë e këtë….”.

Hiri i takimit me Jezusin është ta lësh të të takojë

Pjetri, nënvizoi Papa, e harron pastaj mahnitjen e takimit dhe e mohon Zotin: por me që është i përvuajtur, e lë Zotin t’i afrohet e, kur sytë e tyre takohen, ai qan, kthehet tek pohimi: “Jam mëkatar”.

Papa e përfundoi homelinë me fjalët:

“Zoti na dhashtë hirin ta takojmë, por edhe ta lëmë të na takojë. Na dhashtë hirin  e pohimit të  dyfishtë në jetën tonë: ‘Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë, besoj! E unë jam mëkatar, besoj!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.