2015-09-02 15:23:00

Gjon Pali II, Bashkimi Sovjetik dhe fundi i perandorisë komuniste


Emisioni XVII i Rubrikës “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi studimin, botuar në Civiltà Cattolica-3921, 2 novembre 2013; Quindicinale: Anno 164, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, titullohet:  “Gjon Pali II, Bashkimi Sovjetik dhe fundi i perandorisë komuniste”.

Kontakti i parë ndërmjet Selisë së Shenjtë e Bashkimit Sovjetik ishte ai i vitit 1988, me rastin e kremtimit solemn të njëmijëvjetorit  të Pagëzimit të Rusisë. Gjatë këtij kremtimi, Mihail Gorbaçovi, duke pritur patrikun Pimen, bëri një mea culpa për krimet e kryera nga regjimi komunist kundër Kishës ortodokse. Pranoi, pra, krimet, kërkoi falje e premtoi se do të shpallte një ligj, që do të siguronte lirinë fetare për të gjithë.  Ky fakt u ndoq me interes të madh nga Vatikani. Për kremtimet, Papa dërgoi në Moskë një numër mjaft të madh përfaqësuesish, ndërmjet të cilëve, sekretari i Shtetit, kardinali Casaroli; primati polak, Glemp e kardinali Martini, kryeipeshkëv i Milanos. Delegacion i jashtëzakonshëm për ngjarje të jashtëzakonshme.  

Gjatë vizitës, kardinali Casaroli u prit nga lideri sovjetik, të cilit i dorëzoi letrën e Papës, duke shtuar se Selia e Shenjtë ishte tejet e interesuar për perestrojkën. Dy bashkëbiseduesit, shkruan historiani i mirinformuar Riccardi, ishin dakord për shumë tema. Gorbaçovi e siguroi sekretarin e Shtetit të Shenjtërisë së Tij se ligji i ri mbi lirinë fetare do t’ sheshonte shumë kontraste, krijuar prej kohe ndërmjet Selisë së Shenjtë e Moskës. Kardinali Casaroli i kërkoi, më pas, Gorbaçovit, në emër të Papës, në se ishte e mundur, të krijohej një kanal për lidhje të drejtpërdrejta (ndërmjet dy autoriteteve), siç ndodhte me vendet e tjera socialiste (me përjashtim të Shqipërisë, natyrisht). Gorbaçovi u përgjigj mëdyshas: “Do ta mendojmë”. Sidoqoftë bashkëbiseduesi vatikanas pati përshtypjen, jo pa bazë, se çështja po lëvizte në drejtimin e  duhur.

Në vitin 1989, imzot Angelo Sodano, Sekretar për marrëdhniet me Shtetet, u prit në Moskë si përfaqësues i një kombi mik: gjatë takimeve u tha se tashmë kishte ardhur koha për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike  zyrtare ndërmjet Vatikanit e Kremlinit. E kjo edhe ndodhi në mars 1990. Ambasadori i parë rus pranë Selisë së Shenjtë, Jurij Karlov, arriti në Romë me projektin ambicioz për t’i shtruar Papës Wojlyla rrugën drejt Moskës,  (caktuar për vitin 1992). Por situata u ndërlikua  për shkak të kontrasteve ndërmjet Vatikanit e Patriarkanës së Moskës, gjë që e pengoi realizimin e planit. Papa nuk mundi të shkonte në Moskë as atë vit, e as në vitet e mëpasme.

Marrëdhëniet ndërmjet Shtetit rus e atij të Vatikanit, vijuan të thellohen, pavarësisht nga acarimi i situatës ndërmjet Kishave. Në dhjetor 1989  Gorbaçovi vizitoi Romën e Vatikanin, vizitë kjo me rëndësi epokale.

Në Campidoglio perandori i Lindjes, mbajti një fjalim historik, gjatë të cilit nga njëra anë kujtoi se ishte e nevojshme të përcaktoheshin “parimet  e përbashkëta për mbarë njerëzimin” e nga ana tjetër kërkoi me forcë nevojën e ekzistencës së perandorisë socialiste me fytyrë njerëzore, në një farë mënyre, të ndryshme nga ajo perëndimore kapitaliste, kryesuar nga SHBA-të. Perandoria e kuqe nuk donte të vdiste. Përkundrazi, donte të rilindej. Prej këndej, historia nuk e ka aspak të lehtë të gjejë termin e përshtatshmëm për këto ngjarje, që quhen rëndom “shembja e komunizmit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.