2015-09-01 11:17:00

Dita e Krijimit. Gennadios: ortodoksët të bashkuar me Papën në lutje


Sot, Dita e lutjes për krijimin, i bashkoi në  një lutje të vetme ortodoksë e katolikë. E pikërisht për reagimin e vëllezërve ortodoksë ndaj ftesës së Papës për lutjen e përbashkët në mbrojtje të ambientit natyror, intervistuam kyepeshkopin Gennadios, metropolit ortodoks i Italisë e i Maltës:

Përgjigje: - Siç e dini, prej shumë vitesh, Shenjtëria e Tij, patriku ekumenik Bartolomeu, interesohet shumë për problemet ekologjike. Tani jemi të lum që Papa e nxiti mbarë popullin e Zotit të lutet për Krijimin, sepse njeriu duhet ta kuptojë përgjegjësinë e tij ndaj Krijimit, të cilin duhet ta respektojë, ta dojë, ngaqë, në fund të fundit, jeton në të. Patriku Bartolomeu dhe Papa Françesku janë dy burra të nxitur nga hiri hyjnor për ta ndjerë thellë këtë përgjegjësi të madhe: Krijimi nuk është vepër e dorës së njeriut, është dhuratë, që ia bën Zoti. Kisha shqetësohet gjithnjë për çdo gjë e dëshiron që kjo dhuratë e çmuar e Zotit të respektohet gjithnjë në mënyrë të posaçme, siç e thekson edhe Papa Françesku, përmes lutjes. Patriku Bartolomeu e bën të njëjtën gjë, prej shumë vitesh. Siç e dimë, Kisha ortodokse në Itali e feston pikërisht sot, 1 shtator, solemnitetin në katedralen patriarkale të Shën Gjergjit, në Venedik, me kremtimin e Te Deum. Është rast për t’u lutur së bashku me popullin ortodoks, me të gjithë besimtarët, për Krijimin, që duhet të jetë plot me paqe, qetësi; që duhet respektuar, duhet t’u ngjallë shpresa gjithë të krishterëve, por edhe çdo gruaje e çdo burri vullnetmirë. Kjo është thirrje për bashkim e ftesë për lutje. Siç e thotë edhe Papa Françesku, kremtimi i Ditës është rast i përshtatshëm për ta dëshmuar bashkimin në rritje me vëllezërit ortodoksë.

Pyetje: - Shenjtëria e tij Bartolomeu, që njihet si “Patriku i gjelbër”  e ka sheshuar prej kohe udhën për këtë ndërgjegjësim, që tani merr një shtytje të re në Enciklikën “Lëvduar qofsh”. Si e vlerësoni interesimin e madh, ngjallur nga ky tekst edhe në nivel popullor?

Përgjigje: - Janë me të vërtetë dy vëllezër. Besoj se kjo përgjegjësi i ka bashkuar edhe më shumë Papën me Patrikun. Para se ta shkruante këtë Enciklikë tejet të çmuar, Papa tha: “E shkrova Enciklikën, pasi lexova shumë e shumë gjëra për temën e Krijimit. Patriku Bartolomeu, vëllai im. ka punuar shumë në këtë drejtim, përmes kuvëndimeve, takimeve, kongreseve. Në këtë mënyrë popullit të Zotit iu tërhoq vëmendja për këtë problem të madh, që nuk duhet të mbetet vetëm  shqetësim i prijësve: duhet të bëhet problem i të gjithëve: i popullit të Zotit, shekullarëve, meshtarëve, rregulltarëve, gjithë besimtarëve e jo. E duhet të lutemi e ta mësojmë artin e respektimit të Krijimit!








All the contents on this site are copyrighted ©.