2015-09-01 10:57:00

Dita e Krijimit. Papa kryeson Liturgjinë e Fjalës në Shën Pjetër


U hap, me një video, që zgjati pesë minuta, me figura, muzikë, lexime biblike –skema e orës së Adhurimit Eukaristik, në Bazilikën e Shën Pjetrit, propozuar nga Këshilli Papnor i Drejtësisë e Paqes, me rastin e Ditës botërore të lutjes për kujdesin ndaj gjithësisë së krijuar nga Zoti, kryesuar nga Papa Françesku.

Për orën e adhurimit, në të cilën u përfshi edhe mbledhja e lëmoshëve, sipas traditës ortodokse, u lexuan edhe disa fragmente nga Fjala e Zotit. Posaçërisht nga Libri i Zanafillës:

Hyji tha: “Le ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës e përgjasimit tonë, që t’i zotërojë peshqit e detit, shpendët e ajrit, frymorët, mbarë tokën e çdo zvarranik, që rrëshqahet mbi tokë”(1, 26).

E më pas:

“Të shtatën ditë Hyji e bekoi dhe  e shenjtëroi, sepse atë ditë pushoi prej çdo pune, që kishte bërë, duke krijuar” (2,3).

Në leximet u kujtua pastaj se:

“Zoti e mori njeriun dhe e vuri në kopshtin e Edenit, që ta punojë e ta ruajë” (2,15)

Kështu rrëfimi Biblik i çoi besimtarët në çastet e Zanafillës së jetës, të krijimit e të vullnetit të Zotit për ta marrë njeriun e për ta vendosur në Kopshtin e Edenit, që ta kultivonte e ta ruante.

Më pas teksti i Psalmit 148,  drejtuar të gjitha krijesave, të cilat i fton  ta lëvdërojnë Zotin për mrekullitë e kryera përmbi tokë:

“Lavdërojeni Zotin prej qiellit,

lavdërojeni atë në lartësi.

Lavdërojeni gjithë engjëjt e tij,

lavërojeni të gjitha ushtritë e tija!

Lavdërojeni, diell e hënë,

lavdërojeni të gjitha yje ndriçuese....

Lavdërojeni, fton Psalmi, duke kujtuar gjithçka krijoi Zoti; diell, hënë, yje, qiej, ujëra, përbindsha deti në humnera, erë, zjarr, breshër, shi... Himn kozmik, ku e gjithë krijesa i këndon këngë lavdi  Emrit të Zotit.

 Së fundi, një fragment i Ungjillit sipas Mateut në të cilin Jezusi pohon se jeta jonë vlen më shumë se ushqimi; e korpi, shumë më tepër se veshja:   “Prandaj po ju them: mos u brengosni për jetën tuaj se çka do të hani dhe çka do të pini, as për trupin tuaj se çka do të vishni: vallë a nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku? 26 Shikoni shpendët e qiellit! As nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk mbledhin në drithnikë, e Ati juaj qiellor i ushqen! A nuk jeni ju më të vlefshëm se ata? 27E kush prej jush, me gjithë përpjekjet shqetësuese që mund të bëjë, është i zoti ta zgjasë sado pak jetën e vet? 28 E për veshje, përse brengoseni aq? Shikoni si rriten lilat e fushës: nuk heqin keq as nuk tjerrin! 29 E unë po ju them: as vetë Salomoni me tërë madhërinë e vet nuk është veshur si njëri nga ata! 30 Tashti, nëse Hyji e vesh kështu barin e tokës, që sot është e nesër hidhet në furrë, vallë, a nuk do t’ju veshë më me ëndje ju, o fepakët? 31 Mos u brengosni, prandaj, duke thënë: ‘Çka do të hamë?’ e ‘Çka do të pimë?’ ‘Me çka do të vishemi?’ 32 ‑ këto gjëra i kërkojnë paganët ‑ sepse Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto. 33 Kërkoni, pra, më së pari, Mbretërinë dhe drejtësinë e tij e të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë! (Mt 6, 25-33). 

Pasuan tre fragmente të “Lëvduar qofsh”. Në të parin (nn 8-9) fjalët e Papës për Patrikun Bartolomeu, që thekson se “secili duhet të pendohet për mënyrën si e keqtrajton planetin, sepse kështu ne të gjithë shkaktojmë dëme të vogla a të mëdha ekologjike”.

Në të dytin (n. 236), Papa nënvizon se “në Eukaristi, krijimi arrin  kulmin e lartimit”.

Në të tretin (nn 241-242) fjalët e Papës për Marinë e Jozefin, që vënë në dukje se “posaçërisht Virgjëra Mari, ashtu siç qau me zemër të shporuar për vdekjen e Jezusit, po ashtu tani ka dhimbje për vuajtjet e të varfërve të kryqëzuar mbi kryqin e jetës së tyre e për krijesat e kësaj bote, të shfarosura nga pushteti keqbërës i njeriut”.

Gjatë ndjeteve për ndërmjetësim, besimtarët u lutën që të krishterët të kërkojnë, në radhë të parë mbretërinë e Zotit, të rriten në shpirt, të sjellin fryte të begata, të punojnë për të mirën e Kishës e të mos u mungojë kurrë breznive të reja dëshira për t’i ndarë bashkë pasuritë e gjithësisë.

Lutja përfundoi me fragmentin e letrës që Papa i dërgoi, më 6 gusht, kardinajve Appiah e Koch për shpalljen e ditës:

“Dëshirojmë të japim ndihmesën tonë për kapërcimin e krizës ekologjike, që po jeton njerëzimi”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.