2015-08-31 15:39:00

E hëna në Vatikan e në Kishë


Vatikan: Rikujtojmë se nesër, në Vatikan e në mbarë Kishën katolike, do të kremtohet Dita e parë botërore e lutjes për kujdesin ndaj Krijimit, në bashkim me vëllezërit ortodoksë, që e kremtojnë prej kohe, në të njëtën datë. Të lutemi me Papën, për “Shtëpinë tonë të përbashkët”.

Dy vjet më parë kardinali Pietro Parolin emërohej Sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së tij.

Mbushen sot tri vjet nga vdekja e kardinalit Carlo Maria Martini, kryeipeshkëv i Milanos, që ndërroi jetë më 31 gusht 2012.

Itali: - Në Romë, pranë Institutit Zoja e Vogël, nisi punimet konferenca ndërkombëtare: “Kujdesi për shëndetin e nënës dhe ndërgjegjja katolike” , organizuar nga MaterCare International(Mci), shoqatë e themeluar nga një grup mjekësh katolikë, që kujdeset për shëndetin e nënave e të fëmijëve të tyre. Synimi është të punohet në frymën e Evangelium Vitae (Ungjilli i Jetës) njëzet vjet pas botimit, duke pasur parasysh edhe se së shpejti do të mblidhet Sinodi kushtuar familjes. Konferenca do të vijojë deri më 4 shtator.

Në Asizi filluan sot punimet e Kongresit XXIV të Shoqatës teologjike italiane. E themeluar më 1967, shoqata ka 320 anëtarë, që u mblodhën për të diskutuar rreth temës: “Çdo njeri do ta shohë shpëtimin e Zotit”(Lk3,6). Pyetjet kryesore, të cilave po të përpiqen t’u japin përgjigje teologët, janë: “Si duhet folur sot për shëlbimin e burrave e grave, që jetojnë në botën tonë?” dhe “Si duhet kuptuar shëlbimi?”.

Zvicër: - Në Zvicër u hapën sot punimet e Asamblesë së 309 plenare të Konferencës ipeshkvnore. Punimet, gjatë të cilave do të zgjidhen  kryetari, nënkryetari dhe anëtarët e tjerë të kryesisë, zhvillohen në Givisiez e në Bernë.

Kujtojmë se në Zvicër tashmë banojnë një numër i ndjeshëm emigrantësh katolikë shqiptarë, që kanë edhe kapelanët e tyre, në gjuhën  shqipe.

Brazil: Filloi sot, në Rio-de-Zhanejro, vizita e kardinalit Peter Kodwo Appiah Turkson, kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes. Gjatë qëndrimit në vendin latino-amerikan, kardinali Turkson do të ketë një sërë takimesh e konferencash kushtuar sfidës së paqes në qytetet e mëdha. Takimi i parë, një konferencë me shekullarët, rregulltarët e diakonët. Më 1 shtator do të marrë pjesë në simpoziumin titulluar: “Promovimi i kulturës së paqes, në një botë në konflikt”.

Në Buenos Ajres të Argjentinës, sot u hap Ekspozita e 27-të e Librit katolik, me temë: “Libra të mirë, për t’u rritur në familje”. Veprimtaria zhvillohet në kuadrin e përgatitjes për Sinodin e përgjithshëm të zakonshëm kushtuar familjes, që do të mbahet në Vatikan, në tetorin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.