2015-08-30 15:16:00

Nga Castelgandolfo, Angelus i parë radiofonik i një Pape


Kujtuam, në emisionin e kaluar kushtuar Engjëllit të Tënzot, se ishte Lugji XI, mbret i Francës ai, që në shekullin XVI ratifikoi kremtimin e lutjes tri herë në ditë. Tingëllimi i këmbanës u kujtonte të gjithë katolikëve, mbret e fisnikë e fshatarë, burra e gra, se atë ças duhej ta ndërprisnin punën e të luteshin, me duar bashkë e kokën ulur, në fron a në mes të arës, si në kompozimin e famshëm të Jean-François Millet. 

Ndoshta sot pak e kush e njeh këtë pikturë, që mund të soditet në muzeun e Orsay-t, ashtu si tingujt mahnitës të lutjes, kompozuar nga Puccini, por edhe breznitë më të reja duhet ta kujtojnë lutjen e fundme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga Gjon Pali II nga Dritarja e Engjëllit e Pallatit Apostolik. E edhe një tjetër Angelus të jashtëzakonshëm: atë të Benediktit XVI, që i drejtohej besimtarëve, mbledhur në Shesh, me fjalët: “Zoti më thërret të ngjitem mbi mal”. E, nëse lutja e Engjëllit të Tënzot nuk shënon ritmin e përditshëm të njeriut të kohëve tona, që i mjafton vetvetja, të paktën i kujton gjithë botës se e diela është Dita e Zotit, kur në Romë mijëra e mijëra njerëz, nga qyteti e nga mbarë bota, luten së bashku me Papën, që  e kremton nga dritarja e Pallatit Apostolik.

E pra ky takim është shumë më i vjetër, nga sa mund të mendohet. E filloi  Piu XII, më 1954, Vit Marian. Asokohe Papa kishte nisur ta ndjente veten keq. Vetëm më 31 korrik 1954, kur kulmi i vapës ishte në kalim e sipër, mundi të lëvizte e të shkonte në Kastelgandolfo. Këtu rifilloi punën, me audienca, fjalime e takime. E po këtu nis edhe historia jonë. Gazeta vatikanase e 16 gushtit 1954 jepte këtë njoftim: “Dje, e diel, në orën 12.00, festa e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, Ati i Shenjtë lejoi dashamirësisht që lutja e Engjëllit të Tënzot të transmetohej nga Radio Vatikani, që lidhej me rrjetin kombëtar të Radiotelevizionit italian. Kështu u krijoi të gjithë besimtarëve mundësinë ta përshëndesnin Nënën e Zotit, së bashku me të”.

Që atë ditë Piu XII pranoi ta kremtonte lutjen e Engjëllit të Tënzot  së bashku me besimtarët, e jo më nga mikrofonet e Radio Vatikanit, por drejtpërdrejt, nga dritarja e studios së tij mbi Sheshin e Shën Pjetrit. E kjo dritare, që asokohe, nisi të bëhej e njohur në mbarë botën.

Dashuria dëshiron të ketë edhe ritet e veta, thoshte Saint-Exupéry. E ky rit i dialogut nga dritarja, që atë gusht të vitit 1954, u bë me të vërtetë rit i pandërprerë dashurie. I ndjekur nga një turmë, që mblidhej, e mblidhet çdo të diel poshtë asaj dritarje, për të dëgjuar lutjen e për të marrë bekimin e Papës. Bekim për një javë, për ata që rikthehen të dielën e mëpasme në Shesh. Për një jetë, për ata, që nisen drejt vendeve nga kanë ardhur, shpesh në fund të botës. Nisen me fjalët e Lutjes në gojë e bekimin e Papës në zemër. 

Pastaj erdhi Gjoni XXIII, që u dhuroi, nga njëjta dritare, ledhatimet e tij fëmijëve të mbarë botës, pastaj - Gjon Pali I, me dhuratën e buzëqeshjes, që s’i shuhej kurrë në buzë. E Gjon Pali II, që e kremtoi lutjen edhe kur nuk kishte më zë, nga e njëjta dritare, në takimin e fundit të dashurisë, që nuk ndërpritet.....

Ta dëgjojmë lutjen e Engjëllit me zërin e Pastor Angelicus, Piut XII, 60 vjet pas atij 15 gushti të vitit 1954:








All the contents on this site are copyrighted ©.