2015-08-30 15:46:00

Françesku në Engjëllin e Tënzot: të ndërrohet zemra për të mos dhënë kundërdëshmi


“Ekziston mundësia e rrezikshme, që na shtyn të mendojmë se jemi krejt në rregull, ose, edhe më keq akoma, se jemi shumë më të mirë se të tjerët, vetem sepse i respektojmë doket e zakonet, pa çka se nuk e duam fare të afërmin, kemi zemër prej guri në kraharor, jemi fodullë e kokëpërpjetë”. Këtë nënvizoi Papa Françesku në katekizmin, mbajtur sot gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke komentuar Ungjillin, që flet për diskutimin e Jezusit me disa farizenj e skribë, lidhur me traditat e lashta:

“Zakonet e njerëzve” nuk janë “urdhërime të Zotit”: Françesku fton për t’i dalluar, duke kujtuar fjalët e Izaisë Profet, që këshillonte: “Disa nuk duhet të zënë kurrë vendin e disa të tjerëve”; por, sidomos, duke kujtuar fjalët e Jezusit: “Ju respektoni traditat e njerëzve, e lini pas dore urdhërimet e Zotit”. Disa farizenj e skribë i zbatonin normat në një mënyrë tejet të përpiktë e i paraqisnin si shprehje e fesë së vërtetë, por Jezusi u mëson atyre se feja është tjetër gjë:

“Respektimi fjalë për fjalë i rregullave është diçka e shterpët, nëse nuk e shndërrojnë zemrën e nuk vihen konkretisht në jetë. Duhet hapur zemra për takimin me Zotin e me Fjalën e Tij në lutje, duhet kërkuar drejtësia e paqja, duhen ndihmuar të varfërit, të ligshtit, të shtypurit”.

Më pas, duke folur lirisht, Papa kujtoi jetën e bashkësive kishtare e vërejti:

“Të gjithë e dimë sesa fort shkandullojnë, në bashkësitë tona, në famullitë tona, në lagjet tona, njerëzit që e mbajnë veten “shumë katolikë” e shkojnë dendur në Kishë, e luten, por pastaj, në jetën e tyre të përditshme, e shpërfillin familjen, flasin keq për të tjerët, e kështu me radhë. Pikërisht këtë e dënon Jezusi, sepse është kundërdëshmi e krishterë”.

Në Krishtin është e vërteta, pohoi Françesku, e dija e tij na çliron nga paragjykimet. Nuk janë sjelljet e jashtme ato, që të bëjnë a nuk të bëjnë shenjt. Është zemra, që shpreh ndjetet; janë rrugët, që zgjedhim e dëshira për të bërë gjithçka për dashuri të Zotit!

Papa Françesku nuk ka kurrfarë dyshimi: pa  zemër të pastër, nuk mund t’i kesh vërtet të pastra as duart, e as buzët nuk do të mund të shqiptojnë fjalë të pastra e të sinqerta dashurie, mëshire, faljeje. E në vijim, Papa nënvizoi:

“Sjelljet e jashtme janë pasojë e vendimeve, që morëm në zemër tonë, e jo e kundërta. Vetëm sjelljet e jashtme nuk mjaftojnë për të qenë të krishterë të vërtetë, nëse zemra jonë nuk ndryshon”.

Prej këndej, thirrja e Françeskut për jetë të thellë shpirtërore, domethënë, për shndërrimin e  zemrave:

"Kufiri ndërmjet së mirës e së keqes nuk kalon jashtë nesh, është brenda nesh; mund të pyesim ku është zemra ime? Jezusi thoshte: “Thesari yt është atje, ku është zemra jote”. Cili është thesari im? Është Jezusi e doktrina e Tij? Është zemra e mirë, apo thesari është një gjë krejt tjetër?"

Papa Françesku kujtoi edhe disa fjalë të  tjera të Jezusit, që nuk duhen harruar kurrë:

 “Më dëgjoni të gjithë dhe mbani mend! S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë të papastër duke hyrë në të, por çka del prej njeriut ‑ ajo e bën të papastër”.    

Në përfundim, lutja drejtuar Zojës së Bekuar, që të na dhurojë një zemër të pastër, të lirë nga çdo hipokrizi.








All the contents on this site are copyrighted ©.