2015-08-30 14:37:00

Papa: bashkësia ndërkombëtare të bëjë diçka kundër persekutimeve mbi të krishterët


Në Engjëllin e Tënzot, Papa kujtoi se dje, në Harisa të Libanit, u shpall i Lum ipeshkvi siro-katolik Flavian Michele Melki, martir njëqind vjet më parë, gjatë persekutimit nën Perandorinë Otomane.

Ishte një ngjarje e madhe, ngushëlluese për shumë të krishterë, sot të poshtëruar e të fyer: kështu u shpreh patriarku i Kishës siro-katolike Ignace Youssif III Younan, i cili dje, në Liban, kryesoi kremtimin për lumnimin e imzot Melkit, martirizuar më 29 gusht 1915. Papa e kujtoi në lutjen e Engjëllit të Tënzot:

“Në rrethanat e persekutimit të tmerrshëm kundër të krishterëve, ai qe mbrojtës i palodhur i të drejtave të popullit të vet, duke i nxitur të gjithë të mbeten të patundur në fe”.

“Imzot Melki u vra nga urrejtja për fenë, gjatë persekutimit të përgjakshëm turk, që shfarosi armenët e masakroi edhe pakicat e tjetra të krishtera,  pohoi prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato, i pranishëm në rit. Ipeshkvit iu propozua të kthehej në fenë islame, nëse dëshironte të shpëtonte jetën. Po ai nuk pranoi. Atëherë u mbyt mizorisht e trupi i tij i martirizuar u flak në lumnin Tiger”.

Papa  Françesku nënvizoi se dhuna kundër të krishterëve sot jo vetëm nuk ka marrë fund, por, përkundrazi, po bëhet gjithnjë më e egër:

“Edhe sot, të dashur vëllezër e motra, në Lindjen e Mesme e në vise të tjera të botës, të krishterët vijojnë të persekutohen. Lumnimi i këtij Ipeshkvi martir dikon në zemrat e tyre ngushëllim, guxim, shpresë”.

Kështu Papa, që përfundoi me thirrjen:

“Ka më shumë martirë sot, sesa ata, që ishin në shekujt e parë. E kjo duhet t’i nxisë ligjvënësit e qeverisësit ta sigurojnë kudo lirinë fetare; e bashkësisë ndërkombëtare i kërkoj të bëjë diçka, që t’i jepet fund dhunës, nëpërkëmbjes, padrejtësisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.