2015-08-28 13:02:00

Vdiq ish-nunci Wesołowski, nën proces për shpërdorime


U gjet i vdekur sot, në orët e para të mëngjesit, në banesën e tij, në Vatikan, ish-nunci apostolik në Republikën Domenikane, Jozef Wesołowski, i akuzuar për akte pedofilie dhe mbajtje materialesh pedopornografike, krime për të cilat po gjykohej nga Gjykata e Shtetit të Qytetit të Vatikanit.

Do të jetë autopsia, ajo që do ta sqarojë shkakun e vdekjes së Jozef Wesołowski-t, i cili u gjet pa jetë para televizorit të ndezur, në orën 5.00 të mëngjesit, nga një rregulltar françeskan i Kolegjit të Pendestarisë, ku ish-nunci ishte nën arrest shtëpiak që prej një viti. Sapo u vërtetua vdekja, njofton një notë e Sallës vatikanase të Shtypit, ndërhyu menjëherë autoriteti vatikanas për sqarimet e para, sipas të cilave vdekja ndodhi për shkaqe natyrore. Autopsia po bëhet sot me urdhër të promotorit të Drejtësisë vatikanas  dhe rezultatet e saj do të njoftohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Papa Françesku: të përballohet çështja pa vonesë e pa asnjë lëshim

Ka qenë vetë Papa Françesku ai, që kërkoi të shqyrtohej pa vonesë, me drejtësi e pa asnjë lëshim çështja, siç pati njoftuar, më 23 shtatorin e kaluar,  drejtori i Sallës vatikanse të Shtypit, atë Federiko Lombardi, të nesërmen e arrestit shtëpiak të imzot Josef Wesołowski. Para këtij vendimi, ish-nunci kishte marrë edhe dënimin kanonik nga Kongregata për Doktrinën e fesë, duke u përjashtuar nga radhët e klerit.

Ngjarja

Faktet dolën në dritë në shtator 2013, kur autoritetet dominikane nisën  hetimet penale kundër ish-nuncit polak, me akuzën e shpërdorimeve mbi të miturit, gjatë pesë vjetëve të shërbimit si përfaqësues diplomatik i Selisë së Shenjtë në shtetin karaibik. Veç këtyre krimeve, Gjykata e Vatikanit e akuzoi edhe për  faje të tjera, kryer në Romë, në gusht 2013, deri në çastin e arrestimit. Më 11 korrikun e kaluar, seanca  e parë e procesit penal  u  shty për më vonë, për shkak se i pandehuri u ndje papritur keq e u detyrua të shtrohej menjëherë në spital. 








All the contents on this site are copyrighted ©.