2015-08-28 14:53:00

Rubrika Gjon Pali II dhe vendet komuniste: “Papa Vojtila dhe revolucioni fetar”.


Emisioni XIII i Rubrikës sonë “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi studimin, botuar në Civiltà Cattolica-3921, 2 novembre 2013; Quindicinale: Anno 164, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, titullohet: Papa Vojtila dhe revolucioni fetar

Pas Varshavës, Papa shkoi në Gnezno, ku kishte lindur Polonia e krishterë. Në këtë vend, të ngarkuar me kujtime historike, ai deshi të bëhet zë edhe për popujt fqinjë,  në përpjekjen për t’i rikthyer në prehërin e bashkësisë ndërkombëtare. Nisi të flasë edhe për “Kishën e heshtimit”, duke u përpjekur ta nxjerrë nga katakombet, ku qe detyruar të strehohej. E nga ky vend hodhi idenë e unitetit shpirtëror të Evropës, të themeluar mbi rrënjët e krishtera, duke denoncuar logjikën e Yaltës, e cila  për dhjetra vjet e kishte ndarë Kontinentin evropian.

Shtegtimi përfundoi në Krakovin “e tij”. Ishte një festë popullore e paparë ndonjë herë këtyre anëve: në sheshin vigan të Blonies, ku kremtohej jubileu i Shën Stanislaut (Pajtor i Polonisë) ishin të pranishëm rreth dy milionë njerëz. Ndonëse regjimi bëri çmos ta zhvleftësonte vizitën papnore, duke cenzuruar figurat, fjalët e gjestet, kjo lëvizje e madhe popullore  nuk mund të mos kishte pasoja të hidhura për të.

 Pas shtegtimit ngadhënjimtar të Gjon Palit II në Poloni, drejtuesit komunistë të vendeve të Lindjes nuk mund të mos e vërenin forcën destabiluzuese të ngjarjes. Gjatë një takimi të drejtuesve të departamenteve ideologjike, sovjetiku Kuroedov theksoi se me vizitën e Papës në Poloni kishte nisur një fazë e re në marrëdhëniet ndërmjet botës komuniste e Vatikanit. Natyrisht që këto marrëdhënie pengoheshin ashpërsisht nga Moska. Nga ky njeri, pati thënë Brezhnjevi, s’mund të presim tjetër, veçse belara. 1 Aq më tepër sepse, për shkak të frymës së tij të zjarrtë patriotike,  ka me vete edhe një pjesë të drejtuesve komunistë polakë. Kisha katolike në vendet komuniste, vijonte Kuroedov, nuk është më e papërfillshme, siç mendohej. Ajo po bëhet gjithnjë më shumë forcë e vërtetë politike, me të cilën në të ardhmen do të na takojë të lajmë shumë hesape. Ajo, përveç se i mbështet disidentët, ndikon fuqimisht mbi të rinjtë dhe mbi intelektualët, e sigurisht nuk do të ngurronte t’i mbronte edhe forcat nacionaliste, si dhe emigracionin “klerikal –borgjez”.

Sipas Gromikos, vizita e Papës në Poloni, si fenomen politiko-fetar, të kujtonte rikthimin e ayatollah Khomeini-t në Teheran, pak kohë më parë. Konsiderata të tilla tregojnë se drejtuesit sovjetikë kishin nisur ta merrnin seriozisht atë, që po ndodhte në Vatikan e ia kishin frikën “revolucionit fetar”, që solli Gjon Pali II në Poloni, me ndikim të fuqishëm edhe mbi vendet e tjera të bllokut komunist.

Në tetor 1979, Kuroedov, në një komunikatë të re, i porosiste qeveritë socialiste të mos i lejonin hjerarkitë e Vatikanit t’i fusnin hundët as në çështje me karakter fetar. Ndërmjet nismave praktike, porosiste  të bëhej presion mbi Kishat kombëtare e të fuqizoheshin lidhjet dhe ndihmat ekonomike  në favor të ithtarëve të teologjisë së çlirimit në jug të botës.

Nuk është e mundur, në një hapësirë kaq të ngushtë, siç është kjo jona, të ndjekim udhën e gjatë, që e lidhi Papën Polak, me ngjarjet e kombit të tij në luftë për liri, siç janë, bie fjala, lindja dhe zhvillimi i lëvizjes sindikale Solidarnosc, udhëhequr nga “një elektricist”, siç e quante me përbuzje regjimi Lech Walesën; kërcënimet e vazhdueshme për pushtimin e Polonisë nga sovjetikët, shtetrrethimi i  vendosur nga Moska, deri në tranzicionin paqësor, që përfundoi më 1989, kur me Murin e Berlinit, niste shembjen edhe  perandoria sovjetike. Për një mori faktorësh. Ndërmjet tyre, Papa polak, që e njihte paksi tepër komunizmin e prej këndej, edhe dëshirën e popujve për t’i dhënë fund zgjedhës së tij, tashmë fare të padurueshme në të gjitha sferat  e jetës.

 

1. S. Dziwisz, Una vita con Kariol . Conversazione con Gian Franco Svidercoschi, Milano, Ricoli, 20017, fq 107; id. Ho visuto con un Santo…, cit , 66 s. 15-105.   








All the contents on this site are copyrighted ©.