2015-08-26 16:04:00

Papa katolikëve të gjuhës hebraike: jini mjeshtra të dialogut e të paqes!


Papa Françesku shpreh urimet më të përzemërta me rastin e 60-vjetorit të themelimit të veprës së Shën Jakut, që mbledh bashkë katolikët e gjuhës hebraike në trojet izraelite, duke i porositur: “Të jeni mjet gjithnjë i frytshëm i dialogut e  paqes, shenjë e dashurisë së Krishtit për më nevojtarët”. 

Në një mesazh, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinali Pietro Parolin, Papa, duke kujtuar hiret e shumta dikuar nga Zoti mbi këtë bashkësi gjatë viteve, lutet që besimtarët e gjuhës hebraike të përtërihen në kumtimin e gëzueshëm të Ungjillit. E jo vetëm me fjalë, por, sidomos me një jetë të shndërruar përmes pranisë së Zotit (Evangelii Gaudium, 259). “Në këtë mënyrë, jo vetëm bashkësia e Vikariatit do të fuqizohet, por do të bëhet edhe mjet gjithnjë më i frytshëm për dialogun e paqen në gjirin e shoqërisë, si dhe shenjë e dashurisë së krishterë për më të varfërit”.

Drejtuesi i Veprës së Shën Jakut, atë David Neuhaus, i dërgoi Papës një kopje të letrës baritore, shkruar për këtë rast, përmes së cilës pohon rëndësinë e riorganizimit të bashkësisë hebraiko-kristiane në Shtetin e Izraelit. Në rrethana, mbi të cilat rëndojnë një mori tensionesh e konfliktesh - pohon atë Neuhaus - katolikët e gjuhës hebraike dëshirojnë të jenë urë dialogu e pajtimi ndërmjet izraelitëve e palestinezëve: “Jemi të thirrur për të qenë Kishë e bashkuar, të thirrur për ta ngritur zërin fort në mbrojtje të paqes, të drejtësisë, të pajtimit ndërmjet botës arabe e botës izraelite. Nuk është e lehtë, sepse ka një mori njerëzish, që nuk duan drejtësi, por padrejtësi; nuk duan pajtim, por dhunë; nuk duan paqe, por luftë. Ne, që flasim hebraisht, duhet ta japim këtë dëshmi në zemër të shoqërisë hebraike: të jemi hebrenj, për hebrenjtë, por edhe dishepuj të Krishtit, që e kumtojnë qartë paqen, drejtësinë, pajtimin. Për ne nuk ka udhë tjetër. E bëjmë këtë në bashkim të thellë me sivëllezërit tanë të krishterë arabfolës, që i thonë të njëjtën gjë shoqërisë palestineze në botën arabe”.








All the contents on this site are copyrighted ©.