2015-08-25 14:16:00

“Lëvduar qofsh”: as e së majtës, as e së djathtës


Enciklikë e “gjelbërt”? Kjo mënyrë leximi e “Lëvduar qofsh”, Papës nuk i pëlqen aspak dhe e thotë këtë, sa herë i krijohen mundësitë, saktëson ipeshkvi Marcello Sánches Sorondo, duke iu përgjigjur Alvaro Valenzuelës, që e intervistoi për gazetën kiliane “El Mercurio” të së dielës, 23 gusht. Qëllimi i Papës - shpjegon kryetari i Akademive Papnore të shkencave dhe shkencave shoqërore - është “të vërë theksin mbi temat shoqërore”, përmes temës së klimës, që ndikon fuqimisht mbi jetën e popujve më të varfër, duke prekur, kështu, edhe temën e drejtësisë.


Në Kili, për të marrë pjesë në një takim organizuar në Santiago nga Universiteti Papnor Katolik, prelati kujton, gjatë intervistës, se ambient do të thotë vend ku banon njeriu; por Françesku flet për ambientin, sepse është pjesë e krijimit të Zotit. Kështu kthehet tek shpirti i Shën Françeskut, që shikon në natyrë bukurinë e ringjalljes. Në gjirin e natyrës, gjithçka i flet për Krishtitn. Në këtë kuptim, shtoi, Enciklika është thellësisht fetare.

 

Duke kujtuar, më pas, manipulimin dhe mënyrën si është lexuar “Lëvduar qofsh”, ipeshkvi pohon: “Ajo, që do Papa, është të mos krijohet dualizëm. Ai deshi të thotë se nuk i intereson vetëm tema e njeriut e vetëm ajo e natyrës: i intereson integriteti. Në fund të fundit natyra, toka, është shtëpia e përbashkët e, prej këndej, lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me njeriun. E vetë njeriu nuk mund e nuk duhet konsideruar si armik i ambientit, vëren prelati, por si qenia e vetme, e krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit, e prandaj, duhet të bashkëpunojnë në veprën e krijimit. Prej këndej, Papa kujton temën e “tokës mëmë”, duke dashur të nënvizojë se pa të nuk ka jetë.

Përsa i përket gjykimit të Françeskut për modelin e sotëm ekonomik, imzot Sanchez Sorondo shpjegon se është një vizion i doktrinës shoqërore. Papa nuk e pranon teorinë liberale të trickle-down, sipas së cilës tregu ka në vetvete aftësi të prodhojë pasuri, e as teorinë e hyjnizimit të tregut, e cila ka treguar se funksionon vetëm për disa. Prodhon të mira materiale, por i mungon shpërndarja e tyre. Për Papën, sistemi liberal synon kryesisht  fitimin ekonomik, duke e harruar njeriun e të mirën e përbashkët,  Qëndrim, ky, që ka shkaktuar edhe kritika, të cilave ipeshkvi u përgjigjet me argumente të forta, duke u mbështetur në mendimin e ekonomistëve të shquar, anëtarë të Akademisë Papnore të shkencave shoqërore, si Joseph E. Stiglitz e Kenneth J. Arrow,  sipas të cilëve Papa ka plotësisht të drejtë: vetëm tregu nuk mund të prodhojë edhe shpërndarjen e drejtë.

Kemi të bëjmë me një Papë të së majtës, atëhere? Papa, ua pret shkurt kritikëve prelati, nuk është as i së djathtës e as i së majtës, Papa ndjek Ungjillin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.