2015-08-25 13:54:00

Rubrika Gjon Pali II dhe vendet komuniste: Wojtyla, zë i popujve


Emisioni X i Rubrikës sonë “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi Studimin, botuar në Civiltà Cattolica-3921, 2 novembre 2013; Quindicinale: Anno 164, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, titullohet: “Wojtyla, zë i popujve”.

Kur flasim për Papninë e Wojtylës, duhet theksuar se, përballë botës komuniste,  nuk lëvizi vetëm në planin diplomatik, por edhe e sidomos, në atë të angazhimit personal, ose më mirë të themi, baritor misionar, duke përdorur me sukses dhantitë e pakrahasueshme të komunikatorit të shquar, e të liderit karizmatik. Dhanti që u vunë në dukje me forcë nga mediat, të cilat për vjet e vjet e ndoqën pas në kontinente të ndryshme. Ai në të vërtetë dëshironte të ishte Zëri i popujve, të drejtat themelore të të cilëve shkeleshin e mohoheshin nga regjimet tiranike. Papa nuk donte t’u fliste vetëm qeverive (pavarësisht nga orientimi politik), por edhe, e sidomos, popujve e kombeve.

Respekti që ushqente për këto kombe,  motivoi shtegtimet që bëri në të katër anët e botës për të kumtuar Ungjillin e për të favorizuar identitetin e çdo kombi, në mënyrë që çdo popull të ndjehej plotësisht i mirëpritur në gjirin e familjes njerëzore, përtej blloqeve e kufijve, vendosur nga njerëz të pushtetshëm në shërbim të arsyeve shtetërore. Në çdo rast për Wojtylën kombi, pra populli, vinte para Shtetit; Atdheu, me gjithë vlerën e tij romantike, vlente shumë më tepër se të gjitha institucionet politike. Në këtë sfond ideologjik-fetar duhen interpretuar edhe shtegtimet e shumta që bëri Papa në Poloninë e tij. Ne do të ndalemi vetëm tek tre të parët, që patën një ndikim të fortë mbi botën komuniste në tërësinë e saj, siç u pohua më pas disa herë nga komentatorë politikë me autoritet, pas rrënimit të perandorisë së kuqe.

Gjon Pali II shkoi për herë të parë në Poloni në qershor të vitit 1979 e ndenji në Atdhe nëntë ditë (2-10 qershor). Shkeli në tokën mëmë menjëherë pas shtegtimit tejet të vështirë në Meksikë (shkurt), për shkak të marrëdhënieve të ndera ndërmjet Selisë së Shenjtë e vendit Latinoamerikan. Pritej një dështim që, falë fjalës së zjarrtë të Papës polak, u kthye në triumf  të vërtetë në këndvështrimin fetar e shoqëror. Edhe në këtë rast Papa e  pati në qendër të vëmendjes së misionit të tij, popullin, kombin, duke i kapërcyer vështirësitë e tipit politik, e në këtë rrethanë,   edhe vështirësitë organizative, që e këshillonin të mos e vizitonte në këtë çast kombin e madh katolik. Një shtegtim i tillë në Jug të botës dhe kontakti me rrethana fetare e kulturore të ndikuara në një farë mënyre nga teologjia e çlirimit, natyrisht që i dhanë forcë të re për të përballuar vështirësitë e shtegtimit në atdhe.

Shkoi! E për nëntë ditë feja e krishterë u rikthye në skenën publike ndërkombëtare, duke i treguar botës mbarë, ashtu siç kishte ndodhur edhe në Meksikë, se ishte në gjendje të mobilizonte turma vigane, shumë më të mëdha se ato, që arrinte të mblidhte propaganda komuniste. Këto turma, shkruan Luigi Accatoli,  nuk do të shkriheshin kurrë më “Nga mbledhje të Kishës, do të bëheheshin tubime sindikale e, më në fund, edhe manifestime politike. 1

1  M. Greschat - E Guerriero(eds), Il Grande libro dei papi, II, Cinisello Balsamo (Mi); San Paolo, 1994, 950








All the contents on this site are copyrighted ©.