2015-08-25 15:51:00

Rai Storia: “Dita e Historisë”. Nënë Tereza


Më 26 gusht 1910 lindi në Shkup Anjeze Ganxhe Bojaxhia, e njohur në mbarë botën me emrin Nënë Tereza e Kalkutës, Rai Kultura do ta kujtojë në puntatën “Il giorno della Storia” (Dita e Historisë), nesër, e mërkurë, më 26 gusht, në orën 24.40 e do ta përsërisë në 8.30, 11.30, 14.00 e 20.30, gjithnjë në Rai Storia. I ftuar, Alessandro Cassinis, drejtor i së përditshmes “Shekulli XIX”.

Në moshën 18 vjeçare, e nxitur nga dëshira për t’u bërë misionare, Ganxhia u largua nga shtëpia atërore për të hyrë në Institutin e Motrave të Loretos. Më 10 shtator 1946, gjatë shtegtimit me tren nga Kalkuta, në Darjeeling, për ushtrimet shpirtërore vjetore, motër Tereza, profesoreshë gjeografie në shkollën e mesme të vajzave, ndjen thirrjen në thirrje. Del nga mjediset e qeta  të Institutit drejt e në rrugë të madhe, ku e thërret zëri i Krishtit. Bëhet e varfër, në mes të varfërve, si Zoti, të cilit ia kushtoi gjithë jetën. Më 17 gusht 1948 vesh për herë të parë sarin e bardhë me vija blu të grave të varfëra indiane. E veshur me këtë rrobe të përvuajtur, me këmbët mbathur me sandalet, më pas simbol i shtegtimeve të saj në lagjet më të varfra të mbarë botës, ajo nisi t’i kërkonte të varfërit më të varfër nëpër të gjitha skutat e Planetit. E u vë në shërbim të tyre, deri në vdekje, më 1997. Më 1979 u vlerësua me Çmimin Nobel për Paqen, e vetmja shqiptare, që e meritoi një çmim të tillë. E mori në një kremtim, gjatë të cilit salla e Nobelit ushtoi për herë të parë në histori nga lutja. Ishte lutja e Shën Françeskut, që nis me thirrjen: “Zot, më bëj lajmëtar të paqes sate“.

Më 2003 Gjon Pali II e shpallit të Lume. Tani pritet që Françesku ta shpallë Shenjte.

Gjithë këtë jetë të jashtëzakonshme, të një gruaje, që duke u shërbyer të vafërve, u bë Ungjill i gjallë duke i lënë nder e lavdi edhe kombit të vet, do ta tregojë nesër Rai Storia. 








All the contents on this site are copyrighted ©.