2015-08-25 14:08:00

Enciklika “Lëvduar qofsh”, protagoniste e Javës II peruviane për klimën: mesazhi i kard. Turkson


“Angazhim i ri për edukimin dhe përshpirtërinë ekologjike, që favorizon besëlidhjen e njeriut me ambientin, përmes një kthese të gjithanshme ekologjike e komunitare”. Për këtë fton kardinali Peter Kodwo Appiah Turkson, kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, në mesazhin për pjesëmarrësit e Javës së dytë të angazhimit për klimën, organizuar në Limë të Perusë, nga 24  deri më 28 gusht, nga Ministria e peruviane e ambientit, në përgatitje të Konferencës së Parisit mbi klimën, që do të fillojë më 30 nëntorin e ardhshëm, për të vijuar deri më 11 dhjetor.

Ballafaqim i të angazhuarve për klimën

Qëllimi i takimit të dytë, organizuar nga qeveria peruviane, është të vërë ballë për ballë përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë, të ekonomisë, politikës, të angazhuar në marrjen e masave, që ndikojnë mbi frenimin e ndryshimeve klimaterike.

Enciklika “Lëvduar qofsh”, protagoniste e Javës

Pesë ditët e takimit u hapën dje, me paraqitjen dhe reflektimin mbi enciklikën e Papës “Lëvduar qofsh”. Në takimin, organizuar nga Universiteti jezuit Ruiz de Montoya i Limës, marrin pjesë më se 250 përfaqësues të institucioneve, të Kishës, të bashkësive të tjera fetare, të politikës e të botës akademike.

Të favorizohet kthesa gjithnjë më e madhe ekologjike

Në mesazhin drejtuar pjesëmarrësve, kardinali Turkson uron që si kjo, ashtu edhe të gjitha nismat e tjera kushtuar emergjencës ambientale, të favorizojnë kthesën gjithnjë më të madhe e më të thellë ekologjike, të aftë për të ndikuar mbi të gjitha fushat e jetës njerëzore, në stilet e jetës, në edukim, në dialogun ndërmjet kulturës e fesë, në politikat kombëtare e në bisedimet ndërkombëtare.“Rivendosja e harmonisë me gjithësinë, përfundon mesazhi, duke cituar fjalët e Françeskut, kërkon reflektim mbi stilin tonë të jetës e mbi idealet tona, për të kundruar Krijuesin, që jeton ndërmjet nesh e në gjithçka na rrethon”.








All the contents on this site are copyrighted ©.