2015-08-24 16:38:00

Më 30 janar audienca e parë e jashtëzakonshme e së shtunës gjatë Jubileut


Takime të jashtëzakonshme të Papës Françesku me besimtarë për të shtuna përveç të mërkurave . Pra, do të zhvillohet të shtunën, më 30 janar 2016, audienca e parë e përgjithshme e “jashtëzakonshme”, të cilën Papa Françesku ka vendos t’i mbajë me besimtarë gjatë Jubileut të Mëshirës Hyjnore (tetë dhjetor 2015-20 nëntor 2016), përveç audiencave të zakonshme të të mërkurave.

Sipas kalendarit të Prefekturës së Shtëpisë papnore, siç lexohet edhe në faqen e internetit kushtuar vitit të shenjtë, tetë janë datat që tashmë janë caktuar për audiencat e të shtunave, deri më 30 qershorin e ardhshëm: më 30 janar, më 20 shkurt, më 12 mars, më 9 e 30 prill, më 14 maj e më 18 e 30 qershor.

Për të kapërcyer Portën Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, gjatë Jubileut të Mëshirës, i cili do të nisë më 8 dhjetor, do të jetë i nevojshëm regjistrimi on-line. Pasi të specifikohet dita dhe ora në një seksion të veçantë të faqes kushtuar Jubileut të Mëshirës – www.im.va – secili do të marrë një akreditim falas.

Arsyeja e parë është se shtegtarët duhet ta përjetojnë kapërcimin e Portës Shenjte me qetësi, me fe e lutje. Arsyeja e dytë është shmangia e fluksit jo të organizuar të shtegtarëve dhe dhënia e mundësisë për kryerjen e kontrolleve të sigurisë gjatë kalimit të besimtarëve e të shtegtarëve, të cilat kështu bëhen pa probleme e pa pengesa.

Pra, Këshilli Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri e ka parë të arsyeshme, duke pasur parasysh përvojën e fituar gjatë ekspozimit të Sindonës në Torino, që shtegtarët të regjistrohen on-line. Në faqen e internetit www.im.va çdo person që dëshiron, duhet të shkojë në seksionin “regjistrimi i shtegtarëve” e të vendosi datën dhe orën e shtegtimit.

Organizata ‘Vepra Romake e Shtegtimeve’ do të hapi një sërë zyrash në aeroporte e në stacionet hekurudhore, në qendrën e Romës, në afërsi të Vatikanit në sheshin Piu XII, në fund të rrugës Conciliazione, dhe në Castel Sant'Angelo (Kështjellën shën Engjëllit), gjithnjë në afërsi të Vatikani.

Shtegtarët do të marrin çdo lloj informacioni të nevojshëm praktik. Por mos të harrohet se kalimi i Portës Shenjte nuk duhet të jetë një kalim “mekanik” por shpirteror, Papa Françesku i fton të gjithë që gjatë Jubileut të Mëshirës të praktikojnë vepra të bamirësie, përdëllimi, falje, pajtimi e përtëritjeje trupore e shpirtërore, për të bërë kthesë të thellë të jetës, për t’i ndryshuar gjestet, stilin e mënyrën e jetës, në mënyrë të jashtëzakonshme e vendimtare, në udhën e Dritës së Jetës, në udhën e Ungjillit të Krishtit.

“Mëshira e Zotit nuk fal vetëm mëkatet, por u përgjigjet të gjitha nevojave të njerëzve. Jezusi u përkul mbi çdo mjerim njerëzor, material e shpirtëror. Kështu edhe Kisha, dëshmitare e mëshirës”. E nënvizoi më 14 prill të këtij viti Papa Françesku i cili, më 13 marsin e kaluar, duke kremtuar në Bazilikën e Vatikanit,  pyeti sesi mund ta bënte më të dukshëm këtë mision: është një udhë, shpjegoi, që nis me kthesën shpirtërore.

Duke ftuar për ta përshkuar këtë udhë, Françesku vendosi të shpallë Jubileun e jashtëzakonshëm që, shtoi,  ka në qendër Mëshirën e Hyjit. Do të jetë një Vit Shenjt i Mëshirës, për t’u jetuar në dritën e Fjalës së Zotit: “Të jini të mëshirshëm, si Ati”!

Pa harruar të shtojë se Zoti fal gjithçka, Zoti fal gjithnjë. Të mos lodhemi kurrë duke kërkuar falje, prandaj: “Jam i bindur se mbarë Kisha, që ka  shumë nevojë për mëshirë, sepse jemi mëkatarë, mund të gjejë në këtë Jubile gëzimin për ta rizbuluar e për ta bërë frytdhënëse mëshirën e Zotit, me të cilën të gjithë jemi të thirrur t’i japim ngushëllim çdo burri e çdo gruaje të kohës sonë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.