2015-08-24 11:44:00

Rubrika Gjon Pali II e vendet komuniste: "Liria fetare e popujve”


Emisioni IX i Rubrikës sonë “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi Studimin, botuar në Civiltà Cattolica-3921, 2 novembre 2013; Quindicinale: Anno 164, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, titullohet: “Liria fetare dhe e drejta e popujve”.

Gjon Pali II, siç e cekëm, ishte i bindur se rendi politiko-shoqëror i Evropës lindore, duke përfshirë edhe Poloninë,  dukej, më shumë sesa ishte. E në çdo rast, “nuk ishte aspak i përjteshëm”, siç mendonin disa mjedise të diplomacisë ndërkombëtare, duke përfshirë edhe SHBA-së. Madje edhe përfaqësuesit e Ostpolitikës vatikanase. Papa Gjon Pali II, duke shfrytëzuar misionin e tij shpirtërore, dëshironte fort t’i ndihmonte popujt e Lindjes ta rifitonin lirinë dhe identitetin e tyre historik (të ndikuar fuqimisht nga krishterimi),  të sulmuar shpesh nga propaganda dhe nga kultura e regjimit. Ai e ndjente këtë detyrë providenciale, si mandat të mirëfilltë, që ia kishte besuar vetë Zoti.

Për të nuk ekzistonte më Kisha e heshtimit, siç e pati thënë në disa rrethana, sepse në Romë ishte një Papë, që fliste për të, duke denoncuar shtrembërimet “e sistemit komunist”, në mënyrë të posaçme, mohimin e çdo lirie të vërtetë, si në fushën fetare, ashtu edhe në atë politike e shoqërore. Pavarësisht nga kjo, Gjon Pali II nuk përdorte, siç do të dëshironte ndokush, tone të hapura antikomuniste. Papa polak nuk bëri thirrje për ndonjë kryqëzatë epokale kundër “perandorisë të së keqes”, siç kishte ndodhur disa herë në të kaluarën. Në periudhën e parë të papnisë, vijoi të ecte në hullinë e hapur para tij nga diplomacia vatikanase. Rilidhi  fijet e këputura me disa nga vendet e lindjes e, pas zgjedhjes së tij, i dërgoi sekretarit sovjetik Leonid Brezhnjev një letër, përmes së cilës pohonte  dëshirën për të bashkëpunuar për paqen në botë dhe uronte që veprimtaritë e Kishës në botën komuniste të zhvilloheshin sipas parimeve të lirisë fetare, të njohura universalisht e, në disa raste, edhe të sanksionuara nga vetë drejtuesit sovjetikë.

Në vitin 1979 Papa priti në audiencë, në Vatikan, ministrin e jashtëm sovjetik Andrej Gromiko. Me këtë rast, Gjon Pali II preku jo vetëm temën e paqes, që zakonisht kujtohej gjatë takimeve  ndërmjet dy autoriteteve dhe përbënte fillin e kuq të bisedimeve të ndryshme, por edhe atë të lirisë fetare  në vendet komuniste. Ministri i ndoqi me bezdi të dukshme  fjalët e Papës e, si zakonisht, i bëri bisht përgjigjes.

Të njëjtin drejtim pati  edhe fjalimi i parë i Papës, drejtuar diplomatëve të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, në të cilin uronte të rifillonin marrëdhëniet diplomatike me ato vende, të cilat një herë e një kohë kishin pasur lidhje të përzemërta me Selinë e Shenjtë. Ishte e qartë se këto fjalë u drejtoheshin, në radhë të parë, vendeve komuniste, me të cilat Papa donte të rilidhte marrëdhëniet diplomatike të qëndrueshme. Ishte një hapje e mirëfilltë për lidhje me qeveritë komuniste të Evropës lindore e,  posaçërisht, me Bashkimin Sovjetik.

Një kërkesë të tillë, të papritur dhe të pashtruar në tryezën e bisedimeve,  vendet komuniste, siç e kishin zakon, e komentuan si ndërhyrje të Vatikanit në  punët e politikës së brendshme të shteteve sovrane. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, kryetari i Këshillit për çështjet fetare i BRSS, Vladimir Kuroedov, në një komunikatë zyrtare, nënvizoi se lidhja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Vatikanit dhe vendeve socialiste “do të ishte njohje, nga ana jonë, e Selisë së Shenjtë si shtet, funksioni i vetëm e themelor i të cilit është favorizimi i kryerjes lirisht të misionit të Kishës. E kjo  mund të çojë në fuqizimin absolut të pozitave të Kishës  e, sidomos, në vendet socialiste”. Në këtë rast nuncët, si diplomatë të akredituar, do të mund të ndërhynin në jetën fetare të vendeve komuniste, duke u krijuar pasiguri katolikëve, besnikë të Papës e vështirësi të të gjitha natyrave qeverive. Më mirë shkruante ai, ta lëmë në heshtje ftesën, që vjen nga Roma”.








All the contents on this site are copyrighted ©.