2015-08-23 10:51:00

Lutja e Engjëllit të Tënzot: kuptimi e historia


Lutja e Engjëllit të Tënzot: kuptimi e historia

“Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mëri”,

 “e u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt”... 

Kështu nis lutja e Engjëllit të Tënzot, që mbarë bota katolike e thotë tri herë në ditë, duke ndërprerë për një çast punën a prehjen, në zyrë, në arë a para mjeteve më moderne, që vënë sot në lëvizje mbarë botën: qeveri a qendra financiare qofshin. Natyrisht ku ka katolikë.

E Engjëllin e Tënzot e kremton çdo të diel Papa nga dritarja e studios së tij private, në Pallatin Apostolik, rrethuar nga mijëra besimtarë e shtegtarë, nga anë e anës, që  herë e shndërrojnë Sheshin vigan në elter e herë tjetër, në skenë koncertesh të përshpirtshme, duke e bërë të jehojë këtu kënga kishtare, e kënduar në të gjitha skajet e botës, deri nga indianët lëkurëkuq, që duken shpesh këtu, me pupla mbi flokë, me kukure e me shigjeta dhe e këndojnë në gjuhën e tyre:

Të falemi Mari...

Ky Shesh u përket gjithë popujve, tërë kombeve, të cilët mblidhen rreth Papës, për ta thënë këtë lutje, që ritmon jetën e tyre të punës a të pushimit. 

Engjëlli i Tënzot është lutje katolike

Na kujton misterin e mishërimit, pa të cilin nuk do të kishte krishterim e, sidomos, shëlbim.

Emri i lutjes vjen nga fjala fillestare e tekstit latin: “Angelus Domini nuntiavit Mariae”. Përbëhet nga tre tekste të shkurtëra, që e tregojnë këtë ngjarje e thuhen si versete, shoqëruar me refrenin e pasuar nga tre versete të tjera e nga po aq “Të falemi Mari”.

 Kur kremtohet lutja

Kjo lutje devocionale kremtohet tri herë në ditë, në ag të ditës së re, në mesditë e në muzg. Oraret i kumton këmbana, nganjëherë e quajtur edhe Këmbana e Engjëllit, ose e “FalemiMrisë”. Edhe në Shqipëri, sipas traditës, këmbanat binin, e bien, tri herë, që në kohë të lashta. Vijuan të bien edhe në kohën e pushtimit turk, prej të cilit u mbet gjatë edhe emri: kumbona e sabahut, e mesditës dhe e akshamit. Në kumbonë të sabahut, e gjithë familja ishte në  këmbë. Niste dita e re. Në atë të mesditës, shtrohej në sofër. Në të akshamit, mbylleshin portat me shulat e rëndë. Dita kishte përenduar. Kjo traditë u ndërpre vetëm në kohën e diktaturës, për të rifilluar sapo u rindërtuan këmbanoret e shembura e jeta e besimtarëve nisi të ritmohej rishtas nga tingujt e tyre që, siç shkuan Shileri, tek poezia e tij e famshme kushtuar Këmbanave, përkthyer shqip nga dom Lazër Shantoja: “Thërrasin të gjallët, vajtojnë të dekunt, thejnë rrfetë!” (Vivos voco, mortuos plango, fulgura frango). 

E Fjala u bë Njeri....

Engjëlli i Tënzot na kujton ngjarjen shëlbuese, përmes së cilës, sipas planit të Atit, Fjala, për virtyt të Shpirtit Shenjt, u bë njeri në kraharorin e Virgjërës Mari:

 “Qe shërbëtorja e Tënzot”, vijon lutja.

 “U bëftë mbi mua si është fjala e Jote”. Të falemi Mëri...”. 

Zanafilla 
Kjo lutje, me sa dihet, e ka zanafillën në manastiret mesjetare. Ndërsa murgjërit koristë këndonin orët liturgjike, kompozuar kryesisht nga Psalmet, të cilët të gjithë i dinin përmendësh, dhe nga antifonat, vendosur mbi pupitra, shpesh popullsia analfabete linte përgjysëm punët dhe bashkohej në lutje me korin e murgjërve. Në përfundim mund të këndohej tri herë “I qoftë lumni Atit” e një herë “Jepjau o Zot pushimin e pasosur”. Në variantin e sotëm të Katekizmit thuhet vetëm “I qoftë lumni Atit”.

Kush e themeloi?

Sipas Papës Gjoni XXII, zyrtarisht lutjen e Engjëllit të Tënzot e themeloi Papa Urbani II (1040-1099).  Kremtimi tri herë në ditë u ratifikua edhe nga mbreti i Francës, Luigji XI i cili, në vitin 1472, urdhëroi të thuhej pikërisht tri herë në ditë. Lutja nisi të transmetohej për herë të parë nga Radio Vatikani, në lidhje me televizionin italian, më 15 gusht 1954, nga Papa Piu XII, prej Kastelgandolfos. Ishte e diela e të Ngjiturit të Zojës në Qiell.

Angelus në ditët tona

Duke nisur nga papnia e Palit VI, disa emitente radiofonike e televizive, e edhe Eurovizioni, nisën ta transmetojnë lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga Papa në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Çdo të diel në mesditë, Papa mban një fjalim të shkurtër. Në përfundim të tij kremton lutjen e Engjëllit të Tënzot e cila, në kohën e Pashkëve, zëvendësohet nga lutja e Mbretëreshës Qiellore. Në shumicën e stinëve të vitit, kremtohet  nga Sheshi i Shën Pjetrit, ndërsa zakonisht në kulmin e verës, nga Kastelgandolfo.

 Françesku dhe lutja e Engjëllit në Të Ngjiturit e Zojës në qiell

Që në zanafillë, lutja e Engjëllit të Tënzot, në solemnitetin e të Ngjiturit të Zojës në Qiell u kremtua gjithnjë nga Kastelgandolfo, sepse pikërisht  këtë stinë të përvëluar të vitit Papët e kishin zakon ta kalonin në selinë verore të papëve. Madje disa prej tyre edhe u nisën për në shtëpinë e Atit nga kjo Seli. Po ardhja e Françeskut, ndërmjet shumë gjërave, ndryshoi edhe vendin e kremtimit të lutjes në solemnitetin e madh të Zojës. Më 15 gusht 2015 për herë të parë, pas 60 vjetësh, lutja u kremtua nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan.

Feja, tha Françesku, është arsyeja kryesore e madhështisë së Marisë, e lumnisë së saj. Feja është zemra e gjithë historisë së Marisë:

“Ajo e di - e edhe e thotë - se mbi historinë rëndon barra e dhunës së prepotentëve, e fodullëkut të të pasurve, arrogancës së krenarëve. E, megjithatë, Maria beson e u kujton të gjithëve se Zoti nuk i lë kurrë vetëm bijtë e Tij, të përvuajturit, të varfërit, por u vjen në ndihmë me mëshirë e kujdes, duke i rrokullisur poshtë të mëdhenjtë prej së larti,  duke i humbur  krenarët në intrigat e zemrës së tyre”.

Mëshira e Zotit është motori i Historisë. Punët e mëdha, që bëri i Gjithëpushtetshmi në Nënën e Zotit – shtoi Papa - nuk i përkasin vetëm Marisë. Na prekin thellësisht edhe ne, na flasin gjatë shtegtimit tonë mbi dhe, na kujtojnë cakun, që na pret, shtëpinë e Atit.

Por, në Kastelgandolfo a në Sheshin e Shën Pjetrit, lutja mbetet e njëjtë e thuhet me të njëjtin devocion nga besimtarët e mbledhur rreth Papës:

“E Fjala e Tënzot u bë njeri. E erdh e ndej ndër ne”. Të falemi Mëri... Lutu për ne, o e Shenjtnueshmja Nëna e Tënzot; që të bëhemi të denjë për premtime të Jezu Krishtit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.