2015-08-23 10:42:00

Rubrika Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës: “Një dokument i ri”


Emisioni VIII i Rubrikës sonë “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi Studimin, botuar në Civiltà Cattolica-3921, 2 novembre 2013; Quindicinale: Anno 164, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, titullohet:  “Kisha katolike e diktatura: një dokument i ri”.

Përsëri jashtë tekstit bazë, rikujtojmë dokumentin me 9 faqe, datuar 27 shkurt 1967, botuar kohët e fundit, me titull: “Urdhëresa sekrete e Enver Hoxhës:  ‘Ja si t’i zhdukni kishat e xhamitë’”1. Mjafton ta lexosh, pa bërë asnjë koment, për të kuptuar dëshirën e zjarrtë të diktatorit për ta zhdukur nga faqja e dheut Kishën Katolike, me gjithë besimtarët  e saj.  Duke krijuar kështu një  prirje të rrezikshme edhe për ditët tona. Atë që Papa Françesku e quan “e hedhurinës”,  apo e përjashtimit!

Kur është fjala për bashkësinë myslimane, diktatori, vetë bir hoxhe, shënon: “Myslimanët as kanë e as mund të kenë, dhe as mund të këndojnë dot ndonjë Kuran të vjetër, pse ay është arabisht. Praktikisht, pra, këta “rrojnë” me disa bejte të Kuranit, që i mësojnë, që nuk i kuptojnë dhe i transmetojnë gojarisht”.

Kalon, pastaj, tek ortodoksët që “s’janë as më të pasur e as më të ngritur. Ata kanë vetëm avantazhin që Ungjillin e kanë në shqip”…

Populli ynë, shton, në përgjithësi, nuk është fetar në atë kuptimin që janë shumë popuj të tjerë. Kjo është e vërtetë, por prapë se prapë edhe ay diçka beson. Klerikët, me përjashtim të atyre katolikë, aktualisht janë injorantë dhe fenë që predikojnë e mbështesin më shumë në ruajtjen e disiplinave fetare, me anën e një liturgjie arkaike, me psoma e duara ose lutje mësuar përmendësh në rastin e hoxhallarëve, pa u kuptuar as brendinë, pa lëre interpretimin filozofik!

Kështu që klerikët e çdo besimi kanë shteruar dhe do të shterojnë ca më shumë si kuadro. Kurse përsa i përket shtypjes së librave, të dogmave të tyre, kjo ka vdekur me kohë për  ta! Ne ua kemi zhdukur edhe mundësinë e nxjerrjes së kuadrove.

Por nuk duhet harruar se katolikët, nënvizon diktatori, e sidomos kleri i tyre, është i pasur me libra, është më i ngritur e, atje ku mundet, vijon ta zhvillojë fenë katolike si filozofi. Filozofi e huaj. Të vazhdosh t’u bindesh këtyre ligjeve e zakoneve do të thotë të jesh shpirtërisht me të huajtë, me reaksionin më të zi të huaj (që, për diktatorin, ishte Vatikani). Nuk mundesh, nga një anë, të mendosh e të veprosh drejtë politikisht, kurse nga ana tjetër, ideologjikisht, të mendosh e të veprosh shtrembër… Ç’lidhje mund të kenë ëndërrimet e Muhametit me realitetin tonë të shekullit XX? E njëjta gjë duhet thënë kundër fesë ortodokse e katolike, pse edhe ato kanë të njëjtin karakter, bile edhe më të theksuar reaksionar, shtypës, idealist, qoftë në zhvillimin e dogmës, në përmbajtjen e saj, qoftë në liturgjinë e ngarkuar, të rafinuar, pompoze, qoftë në praktikat dhe në disiplinat fetare….

Në vijim teksti thekson:

“Feja kristiane duhet thënë se është më e egra, më reaksionarja, më e helmatisura. Neve na bie detyra që të studiojmë me imtësi ku e qysh shfaqet ky helm, ç’trajta ka marrë gjatë zhvillimit, ç’praktika zbatohen e si kamuflohen. Këto na duhet t’i dimë, që kur lind i vogli, që kur pagëzohet, e derisa martohet e vdes. Luftë e studiuar sistematike, ideologjike, politike, organizative, pa pushim, pa pushim! Pa harruar se feja katolike, me qendër Vatikanin, ka qenë ideologjia e pushtuesve italianë, e imperializmit austriak dhe e fashizmit italian…

Ky, dokumenti, që sheh dritën e shtypit e që ne e shfrytëzuam pjesërisht.  Pa koment! Flet vetë. E jo vetëm për zhdukjen e Kishës katolike në trojet shqiptare, por edhe, e sidomos, për zhdukjen e gjithë bashkësisë katolike.  

1.  “Urdhëresa sekrete Enver Hoxha: Ja si t’i zhdukni kishat dhe xhamitë; Redaksia Online http:// Shqiptarja. Com

 








All the contents on this site are copyrighted ©.