2015-08-21 15:13:00

Tweet i Papës: të lexohet çdo ditë Ungjillin për ta ndjekur Jezusin


Tweet i ri i Papës në faqen e internetit @Pontifex. “Leximi i përditshëm i Ungjillit na ndihmon ta mundim egoizmin tonë e ta ndjekim vendosmërisht Mësuesin, “Jezus”. Shpesh, Papa Françesku, gjatë këtyre dy vjetëve e gjysëm të papnisë, nxit për ta lexuar Ungjillin, edhe duke shpërndarë mijëra kopje në Sheshin e Shën Pjetrit, i ndihmuar nga të pastrehët.

Mbajeni Ungjillin në çantë, në xhep. Lexojeni një copëz ditë për ditë. Do t’ju bëjë mirë! Bëjeni! E kemi dëgjuar shpesh Papën duke përsëritur këtë nxitje.

“Kur je i mbushur me trishtim, merre në dorë Fjalën e Zotit, lexoje! E do të gjesh ngushëllim e gëzim. Në Ungjill, shpjegon Papa, Jezusi rindez në zemrat tona flakën e fesë e të shpresës. E ndez, sepse në të është Ai vetë, që na flet. Nuk është thjesht fjalë njerëzore, as filozofike, që edhe mund të na bindë. Jo! Është krejt tjetër gjë! “Fjala e Zotit është Jezusi, vetë Zoti, e kjo është forca e Fjalës së Zotit: Jezu Krishti!”.

Papa Françesku shpjegon edhe sesi mund ta marrim Fjalën e Zotit: jo aq për ta mësuar, sa për të gjetur në të Jezusin. Ta dëgjosh vërtet Fjalën e Zotit, do të thotë të takohesh vërtet me Jezusin. E ky takim e shndërron zemrën, e ndryshon jetën. Nuk duhet harruar, veç, ta dëgjosh me zemër të hapur, me zemër të përvuajtur, sepse edhe vetë Jezusi kështu erdhi; përvujtërisht, varfërisht.

Vjen, pastaj, ftesa për të mos bërë një gabim: për të mos e dëgjuar fjalën e Zotit, si diçka interesante e për të mos e bërë fenë tënde të varet nga predikimi tërheqës i ndonjë meshtari. Jo! Feja, siç thotë Shën Pali, po të jetë e vërtetë, bazohet mbi pushtetin e Hyjit, e jo mbi dijen njerëzore. Edhe ne, vëren Papa, nëse duam ta dëgjojmë e ta bëjmë tonën Fjalën e Zotit, duhet t’i lutemi Shpirtit Shenjt të na japë një zemër, siç është zemra e Lumturive, që të bën të gjesh, me thjeshtësi, në këtë Fjalë “Jezusin e gjallë”. Atëherë fara e mirë, në truall të mirë, do të ngarkohet me fryte!








All the contents on this site are copyrighted ©.