2015-08-21 12:17:00

Siri: Isis shkatërron manastirin katolik të Mar Elian


Militantët e Isis shkatërruan pak orë më parë manastirin katolik të Mar Elian në Qaryqatayn, pranë Homsit në Siri, ndërtuar në shekullin e pestë pas Krishtit. Vetë Shteti Islamik përhapi në internet një video, ku shihen buldozerët në punë, në mesin e rrënojave. Video, montuar me një seri fotografish njëra pas tjetrës, tregon fillimisht profanimin e kishës, më pas nxjerrjen e eshtrave të shën Elianit - mbytur nga romakët në vitin 285, emrin e të cilit ka manastiri – si edhe shkatërrimin e plotë të kompleksit historik në shkretëtirën siriane. Manastiri, që konsiderohet një nga qendrat katolike më të rëndësishme në Siri, është ndërtuar disa herë gjatë shekujve e çdo vit, më 9 shtator, me rastin e festës liturgjike të shenjtit, priste mijëra shtegtarë. Eprori i manastirit, atë Jacques Mouraud, u mor peng në majin e këtij viti.

Shkatërrimi i qendrave historike katolike është bërë tashmë udhë nga xhihadistët, por shërbimet ndërkombëtare të sigurimit sinjalizojnë se statujat, pllakat e gjetjet e tjera arkeologjike shiten prej tyre, duke siguruar kështu fonde, që i kalojnë shumat e marra nga pengjet e nga mjetet e tjera të përdorura për të financuar xhihadin islamik.








All the contents on this site are copyrighted ©.