2015-08-21 13:45:00

Jubileu: shteg i veçantë për shtegtarët në Shën Pjetër


Në shtegtimin drejt Portës Shenjte të Bazilikës së Vatikanit, besimtarët do të ndjekin një shteg të caktuar për ta: njoftimin e jep  Sekretaria organizative e Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës. Regjistrimet për shtegtimin do të fillojnë në tetorin e ardhshëm.

Nga Kështjella e Shën Engjëllit - në udhën e Pajtimit - duke u përshkuar, pastaj, nëpër Sheshin Piu XII dhe Sheshin e Shën Pjetrit: do të jetë ky, shtegu pedonal i caktuar për shtegtarët, që duan ta kapërcejnë pragun e Portës Shenjte të Bazilikës së Vatikanit. Një mënyrë, shpjegon Sekretaria organizative e ngjarjes së madhe, që krijon kushtet për ta kryer shtegtimin pa humbur shumë kohë. E kjo, sepse parashikohet dyndje e madhe njerëzish. Prej këndej, shtegtarët duhet të japin njoftime për datën e orët, në të cilat dëshirojnë ta përshkojnë këtë udhë.

Në tetor nisin regjistrimet on line në www.im.va

Portën Shenjte mund ta përshkojë një numër i kufizuar njerëzish, nënvizojnë akoma organizatorët. Për të shmangur pritjet e gjata e të panevojshme e për të ndihmuar për shoqërimin shpirtëror, ka shumë rëndësi që grupet e organizuara të vihen në lidhje me Sekretarinë organizative, përmes seksionit “Regjistrimi i shtegtarëve” të kanalit zyrtar të Jubileut, që do të hapet në tetorin e ardhshëm. Në këtë mënyrë do të jetë e mundur të zgjidhet data dhe ora e përafërt e shtegtimit drejt Portës Shenjte të Shën Pjetrit e të bëhet edhe regjistrimi për të marrë pjesë në ngjarjet e mëdha jubilare.

Shkurtimi i kohës së pritjes dhe sigurimi i atmosferës së lutjes

Kërkesave të besimtarëve të veçantë, në grupe ose familje, do t’u përgjigjet Sekretaria organizative, duke u treguar orarin më të mirë, në të cilin mund të paraqiten në udhën e caktuar. Ky sistem, pohojnë organizatorët, do të krijojë mundësitë të pakësohet ndjeshëm koha e pritjes e do të kontribuojë edhe për krijimin e atmosferës së lutjes e të meditimit gjatë ecjes në këmbë drej Portës Shenjte.

Së shpejti do të nisë punën Qendra e mikpritjes së shtegtarëve

Veç këtyre, që thamë më sipër, për të gjithë ata, të cilët mund të mos jenë regjistruar përmes web-it, do të jetë e gatshme për ndihmë “Qendra e mikpritjes së shtegtarëve”, në Via della Conciliazione 7, që do të hapet së shpejti, ku vullnetarët do t’i ndihmojnë besimtarët të vihen për udhë në kohën  më të përshtatshme.

Për Portat e bazilikave të tjera papnore nuk është i nevojshëm regjistrimi

Kujtojmë se regjistrimi është i nevojshëm vetëm për kalimin e Portës Shenjte të Bazilikës së Vatikanit, që do të hapet më 8 dhjetor. Për të kaluar portat shenjte të bazilikave të tjera papnore të Romës: atë të Shën Gjonit në Lateran, të Shën Palit jashtë Mureve (që do të hapet më 13 dhjetor) e të Shën Marisë së Madhe (do të hapet më 1 janar 2016), nuk është i nevojshëm regjistrimi.

Vullnetarët në dispozicion të të sëmurëve e të njerëzve me kufizime

Së fundi, Sekretaria organizative nënvizon se të katër Bazilikat papnore, përveçse të pajisura me një vend të posaçëm të ndihmës së shpejtë mjekësore, do të kenë edhe shërbimin e vullnetarëve për të gjithë shtegtarët, posaçërisht për njerëzit me aftësi të kufizuara. Prandaj është e nevojshme që në çastin e regjistrimit të shënohen edhe nevojat për ndihmë të veçantë mjekësore.

Papa Françesku: mëshira të jetë stil jete

I shpallur nga Papa Françesku më 11 prillin e kaluar, me botimin e Bulës “Misericordiae Vultus”, Jubileu i jashtëzakonshëm i Mëshirës ka moton: “Të mëshirshëm si Ati”, shprehje e shkëputur nga Ungjilli i Lukës (6,36)  që, shpjegon Papa, kërkon aftësinë për t’ia vënë mirë veshin Fjalës së Zotit, në mënyrë që të mund të kundrohet mëshira e tij, duke e zgjedhur, pastaj, si stil jete.

Viti Shenjt do të hapet zyrtarisht më 8 dhjetorin e ardhshëm, në Solemnitetin e Zojës së Papërlyer e do të përfundojë më 20 nëntor 2016, në Festën e Krishtit Mbret.








All the contents on this site are copyrighted ©.