2015-08-20 14:48:00

Papa Françesku: t’u përgjigjemi emigrantëve me Ungjillin e mëshirës


“Sfida e emigrantëve dhe e refugjatëve. Përgjigjja e Ungjillit të mëshirës”: kjo është tema e zgjedhur nga Papa Françesku për Ditën e 102-të Botërore të Emigrantit e të Refugjatit, që do të kremtohet më 17 janar 2016. Temë, e cila, siç thuhet në komunikatën e dikasterit përkatës vatikanas, duhet kuptuar në kuadrin e Jubileut të Mëshirës, që fillon më 8 dhjetor të këtij viti e përfundon më 20 nëntor 2016.

         Dy, aspektet për t’u nënvizuar, thekson Këshilli Papnor. Me frazën e parë të temës vihet në dukje gjendja dramatike e të gjithë njerëzve, që detyrohen të ikin nga vendi i tyre. “Nuk duhen harruar tragjeditë aktuale të detit, që kanë për viktimë, emigrantët”, shkruhet në komunikatë, ku përmenden edhe fjalët e fuqishme të Papës Françesku kundër indiferencës në bulën “Misericordiae vultus” të Jubileut.

         Fraza e dytë e temës, “Përgjigjja e Ungjillit të mëshirës”, dëshiron të zgjojë reflektime mbi zgjidhjet, që i jep bota e, sidomos Kisha, fenomenit të emigracionit. Ati i Shenjtë i fton të krishterët, që gjatë Jubileut, të bëjnë vepra të mëshirshme truprore e shpirtërore, ndër të cilat, edhe mikpritja e të huajve. Në këtë kuadër hyn edhe përpjekja e Kishës për të denoncuar skllavëritë e shoqërisë moderne, duke kërkuar marrëdhënie të drejta ndërmjet drejtësisë e mëshirës.

         Këshilli Papnor për Emigrantët e Refugjatët sugjeron që dita të kremtohet në nivelin dioqezan e në atë kombëtar, duke arritur kulmin e vet, më 17 janarin e ardhshëm, në Ditën Botërore përkatëse. Gjithashtu, këshillon të programohen nisma e veprimtari, që të mos kufizohen vetëm në atë ditë, duke përfshirë krejt bashkësinë e krishterë në veprat e solidaritetit me emigrantët. Kujtojmë se Kisha Katolike e kremton Ditën kushtuar emigrantëve dhe refugjatëve, duke filluar nga 21 shkurti i vitit 1915.








All the contents on this site are copyrighted ©.