2015-08-19 13:48:00

Në korrik, arritën në Evropë mëse 100 mijë emigrantë


Nga Nigeria, numri më i madh i emigrantëve, që zbarkojnë në Itali, një nga portat e hyrjes në Evropë. Statistikat e fluksit të të dëshpëruarve u bënë të ditura dje nga agjencia evropiane për kontrollin e kufijve, Frontex. Prej tyre del se për herë të parë, në një muaj të vetëm, në korrikun e kaluar, numri i emigrantëve të regjistruar në kufijtë e Bashkimit Evropian e kapërcen pragun e 100 mijë vetëve.

        “Një presion i paparë mbi autoritetet për kontrollin e kufijve në Greqi, Itali dhe Hungari”, komenton Frontex-i, i cili vë në dukje se numri është trifishuar në krahasim me korrikun e vitit 2014. Ndërkaq, që nga janari, 340 mijë emigrantë janë paraqitur me njëmijë mënyra në kufijtë evropianë, në kërkim të një jete më të mirë, por edhe në ikje nga lufta e dhuna. Në katër ishujt grekë, më afër me Turqinë, e sidomos në Kos, kanë zbarkuar mëse 50 mijë vetë, shumica eritreas e nigerianë, që janë nisur nga Libia.

         Në rritje edhe ata emigrantë, që përpiqen të arrijnë në veri të Evropës, përmes tokës, duke kaluar nga Ballkani. Hungaria, ku ata shkojnë nga Serbia, po përfundon ndërtimin e murit me tela me gjemba, që e ndan me vendin sllav, në kufijtë e të cilit ka rreshtuar mijëra ushtarë. Në perëndim të Bashkimit Evropian, pas vdekjes së disa emigrantëve në Eurotunel, Franca dhe Britania e Madhe kanë arritur një marrëveshje për të përballuar situatën e krijuar në qytetin Calais, në La Mansh. Ndërkaq, në Itali janë arrestuar 8 skafistë, në barkën ku humbën jetën të asfiksuar, 49 vetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.