2015-08-19 15:45:00

Françesku kujton vëllain Roger, 10 vjet pas vdekjes


Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku kujtoi se nesër bashkësia e Taizé-së mbush 75 vjet. Më pas shtoi:

“Dëshiroj t’i drejtoj përshëndetjen time, shoqëruar me lutje, vëllezërve murgjër, në kujtim të themeluesit, vëllait Roger Schutz, të cilin pikërisht tri ditë më parë e kujtuam, në dhjetëvjetorin e vdekjes. Udhë të mbarë bashkësisë së Taizè-së!”.

Më pas Françesku, sipas traditës, pëshëndeti grupet e ndryshme, të pranishme në audiencë:

“Përshëndes Motrat e Shën Anës, Shoqatat dhe grupet famullitare. Uroj që vizita tek Varret e Apostujve të thellojë në shpirtin e të gjithëve ndjenjën e përkatësisë ndaj familjes sonë e ndaj Kishës. Një mendim i posaçëm, për të rinjtë, të sëmurët, të sapomartuarit. Sot kremtojmë festën liturgjike të Shën Gjonit Eudes.

Uroj që devocioni i tij për Zemrën e Krishtit e të Zojës së Bekuar t’ju kujtojë ju, të dashur të rinj, sa i nevojshëm është ndërmjetësimi i tyre në udhën shpirtërore;

uroj t’ju inkurajojë ju, të dashur të sëmurë, t’i përballoni me fe çastet e vuajtjes; 

e t’ju nxisë ju, të dashur çifte të reja, t’i edukoni me dashuri fëmijët, që do t’ju falë Zoti”.








All the contents on this site are copyrighted ©.