2015-08-19 10:50:00

Rubrika Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore: “Ostpolitik”


Emisioni V i Rubrikës sonë “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi studimin, botuar në Civiltà Cattolica-3921, 2 novembre 2013; Quindicinale: Anno 164, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, sot shkëputet nga teksti bazë, për të shpjeguar termin “Ostpolitik” pasuar edhe me “Ostpolitik vatikanase”, që do të na kthejë përsëri tek studimi.

 Fjala Ostpolitik, me etimologji gjermane, përbëhet nga ‘Ost’(Lindje) e ‘politik’(politikë). Është politika për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën Demokratike Gjermane (DDR) e me vendet e tjera të bllokut lindor, ndjekur nga Willy Brandt, kancelar i Republikës Federale Gjermane, duke nisur nga vitet ’70, për të cilën Brandt fitoi edhe Çmimin Nobel për Paqen, 1971.

Shenjat paralajmëruese të Ostpolitik-ës

Gjermania, që doli e mundur nga Lufta II Botërore e u vu nën kontollin e katër fuqive të mëdha, pësoi ndryshime të ndjeshme territoriale, të cilat shkaktuan valë emigracioni drejt Gjermanisë së re, ardhur nga zonat historikisht gjermane. Vendimet e Konferencës së Jaltës (shkurt 1945) dhe të Potsdamit (korrik 1945) krijuan probleme, që kushtëzuan veprimtarinë  e jashtme politike të Gjermanisë. Është fjala për Deklaratën mbi Evropën e çliruar, që premtonte zgjedhje të lira në të gjitha vendet e pushtuara  dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të shtetit gjerman, gjë që do të diskutohej nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm aleatë, organ i cili do të merrej edhe me traktatin e paqes me vendet e mundura.

Në atmosferën e zgjedhjeve të lira, Bashkimi Sovjetik bëri çmos për realizimin e  marrëveshjes së social demokratëve me komunistët, por nuk ia doli. Sovjetikët e panë qartë se po të organizoheshin zgjedhje vërtet të lira, kandari gjerman do të anonte nga perëndimi. Pas tij, edhe i të tjerëve. Kjo ndikoi fuqimisht edhe mbi premtimin për të krijuar një shtet të vetëm gjerman. Në vitin 1947 Plani Byrnes dështoi e dy blloqet nisën të ecin secili në udhën vet në bisedimet për territoret që kishin nën kontroll. Me krijimin e Republikës Federale Gjermane e, si reagim, edhe të asaj Demokratike, u afirmuan dy entitete, të cilat shpallën njëkohësisht të drejtën për të përfaqësuar popullin gjerman. Gjermania demokratike mbeti nën ndikimin e lindjes, Federalja, të perëndimit, gjithnjë me shpresë për të realizuar një ditë bashkimin.

Politika e lëvizjes

Politika e Konrad Adenauer pati rezultate të zbehta në këtë drejtim dhe çoi në krizën e Berlinit, në vitet 1958-1961. Pasoja, ndërtimi i Murit, simbol i dështimit të politikës së ndjekur deri atëherë. Me rënien e Adenauer, lindi ideja për orientimin e politikës së jashtme drejt vendeve të lindjes. Duke filluar nga viti 1963, drejtuesit kristiano-demokratë nisën rishikimin e ngadaltë të politikës së Adenauer, me qeverinë e parë e të dytë të Ludwig Erhart. Në këtë kohë nisi edhe depërtimi i ngadalshëm dhe i heshtur ekonomik në tregjet lindore, që do të çonte në vendosjen e misioneve tregtare në Rumani e Poloni, në vitin 1963; në Hungari e Bullgari, në vitin 1964. Kjo u quajt politika e lëvizjes dhe krijoi idenë e shkrirjes së akujve të mbas luftës botërore. Pas saj u ndoq Politika e Koalicionit të madh e viteve 1966-1969, vitet e famshme ’60, më të vështirat për Shqipërinë, ku dimri i madh nuk donte t’ia lëshonte lehtë rrugën stinëve të ngrohta. Në këtë kohë, falë angazhimit të qeverisë së Willy Brandt, Republika Federale e Gjermanisë hapi një mision tregtar në Çekosllovaki dhe rilidhi marrëdhëniet diplomatike me Bullgarinë e Jugosllavinë. Në sa demokracitë lindore nisnin orientimin nga Perëndimi, Shqipëria shtyhej edhe më thellë në lindje, madje këtë herë, në lindjen e largët, duke lidhur miqësi me Kinën e Mao Ce Dunit. Nisi “epopeja” e fletë rrufeve”. Ndërkaq, shenjat e brishta, që flisnin për ndryshime, u duk se morën fund me Pranverën e Pragës.

Por, në vitin 1969, Brandt i fitoi përsëri zgjedhjet, formoi qeverinë dhe e propozoi zyrtarisht Ost Politikën, që i shndërronte në praktikë të përgjithshme orientimet e viteve të mëparshme. Republika Federale e Gjermanisë kërkonte, kështu, të mos mbetej nën kërcënimin sovjetik, duke favorizuar marrëdhëniet me Lindjen, në radhë të parë me BRSS e edhe me gjermanët lindorë, gjë që mund të çonte në rishikimin e ndarjes, imponuar nga fitimtarët e Lufës II Botërore. Jehona e gjithë kësaj përpjekjeje u ndje vonë e herë e krejt pa sukses, në Shqipëri, megjithëse vendi nuk u përjashtua nga Ostpolitik. Përjashtoi veten.








All the contents on this site are copyrighted ©.