2015-08-16 11:36:00

Disa burime të lashta dhe legjenda e rremit të palmës


Dje u kremtua solemniteti i të Ngjiturit të Zojës në Qiell. Pasi në emisionet e kaluara folëm për dogmën dhe për traditën, sot po ndalemi tek disa burime të lashta.

Njoftimet e para për Të Ngjiturit e Zojës në Qiell vijnë në kohët tona nga shekulli IV e fillimi i shekullit V.

Efremi Siriak (vdekur në vitin 373), qe ndër të parët që mbrojti tezën, sipas së cilës korpi i Marisë nuk pësoi kalbëzim pas vdekjes.

Timoteu i Jeruzalemit (shek IV), shkruan se Zoja mbeti e pavdekshme, sepse Krishti e mori në viset, ku ishte ngjitur Ai vetë.

Epifani i Salaminës (vdekur më 403) beson se fundi tokësor i Marisë ishte plot mrekulli e se Virgjëra e kishte, që kur ishte gjallë, në korp, mbretërinë e qiellit.   

Vepërza siriake Obsequia Beatae Virginis pohon se shpirti i Marisë, menjëherë pas vdekjes, u bashkua përsëri me korpin.

Ndërmjet veprave apokrife më të njohura të kësaj kohe, kujtojmë:

“Fjetja e Nënës së Shenjtë të Zotit”, që mendohet të jetë e Shën Gjon teologut apo Ungjillorit (shek VI).

Pastaj, Kalimi i  së Lumes Virgjërës Mari, që mendohej të ishte shkruar nga Jozefi i Arimatesë, por sipas studiuesve, i përket shek IV. Kjo vepër, tregon sesi Zoja i pati kërkuar të Birit ta lajmëronte për vdekjen tri ditë para. E  Zoti e lajmëroi. Dy vjet pas Të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, Maria po lutej, kur para saj u duk Kryeengjëlli Gabriel. Mbante një rrem palme në dorë e i tha: “Pas tri ditësh ti do të ngjitesh në qiell”.

E Zoja, duke parë pranë saj, mbi shtrojen e vdekjes, Jozefin e Arimatesë, e edhe dishepujt e tjerë të të Birit, i njoftoi se po afrohej Dita e saj, Pashkët e saj.

Si erdhi e diela, në orën e tretë, ashtu si pati zbritur Shpirti Shenjt më një re mbi apostujt, zbriti edhe vetë Krishti me një turmë engjëjsh dhe e mori me vete shpirtin e nënës së tij të dashur. E shpërtheu aty një dritë e madhe  e u përhap një erë e mirë ndërsa Engjëjt këndonin Këngën e Këngëve, atje ku Zoti thotë: “Si zëmbak ndërmjet ferrash, ashtu është më e dashura ime ndërmjet vashash”. E gjithsa ishin aty, ranë me fytyrë përdhe, siç patën rënë Apostujt kur Krishti u shndërrua para tyre në Malin Tabor.








All the contents on this site are copyrighted ©.