2015-08-14 12:27:00

Të Ngjiturit e Zojës në Qiell, në penelin e Rubens


Për ta ndjerë më thellë solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, që do ta kremtojmë nesër, po mundohemi ta shpjegojmë përmes tri kryeveprave kushtuar Zojës së Ngjitur në Qiell, duke u ndaluar tek  piktorët e famshëm Cimabue, Rubens e Tiziani.

Për Zojën e Cimabues folëm dje. Sot, për  Zojën e Rubensit.

Edhe Peter Paul Rubens realizoi një pikturë, vaj mbi pëlhurë, me temë “Të Ngjiturit e Zojës në Qiell”. Kompozimi u realizua në vitet 1625-26, për t’u vendosur mbi elterin e madh të katedrales së Anversës, në Fiandre, kushtuar Zojës së Bekuar. Është fjala për piktorin fiaming (Siegen, 28. VI. 1577- Anversë, 30.05.1640), që i hapi  rrugën barokut kryengritës evropian.

Në pikturën e Rubensit, një kor engjëjsh shtillet drejt qiellit dhe e larton Zojën kah Drita Hyjnore. Rreth e rreth varrit të saj të hapur, të zbrazët, ashtu si një varr tjetër, me të cilin fillon historia e Ringjalljes, janë mbledhur 12 Apostujt. Gruaja me krahë hapur, poshtë, mendohet të jetë Maria Madalenë.

Historia

Më 1611 Kapitulli i katedrales së Anversës hapi një konkurs për pikturën, që do të stoliste elterin e madh e që do t’i kushtohej Të Ngjiturit të Zojës në Qiell. Rubensi e paraqiti vizatimin më 16 shkurt 1618. Në shtator të vitit 1626, pas 15 vjetësh, vepra ishte e përfunduar. Që asokohe Zoja i shikon besimtarët nga elteri i madh i katedrales, duke u kujtuar fort, me vizatimin e saktë, kompozimin gjithë dinamizëm, dritë-hijet prekëse, perspektivën e shkathët, përdorimin mjeshtror të ngjyrave, lidhjen e ngushtë ndërmjet Ringjalljes e Të Ngjiturit në Qiell.     








All the contents on this site are copyrighted ©.