2015-08-14 13:29:00

Komastri: Françesku e vë Vitin e Mëshirës nën shenjën e Marisë


Në Solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, Papa Françesku do të kremtojë lutjen e Engjëllit të Tënzot në orën 12.00, së bashku me besimtarët, që do të mblidhen rreth tij në Sheshin e Shën Pjetrit. Për të na folur mbi rëndësinë e kësaj feste dhe lidhjen e Jorge Mario Bergoglios me Nënën e Zotit, intervistuam kardinalin Angelo Komastri, mëkëmbës i përgjithshëm i Papës për Shtetin e Qytetit të Vatikanit:

Përgjigje: - Sot kjo festë është posaçërisht aktuale, edhe për shoqërinë tonë e për çastin, që po jetojmë. Jetojmë në kohën e kultit të korpit, të idhujtarisë së korpit, por, për fat të keq, të një korpi pa shpirt, të shkëputur nga shpirti. Duke harruar se bukuria e trupit nis nga bukuria e shpirtit. Maria ishte vashë me shpirt të bukur, me ndjesi të bukura. Ishte e bukur në përvuajtërinë e saj, në fisnikërinë e saj, në bujarinë e saj: Maria ishte e bukur në përkushtimin e plotë ndaj të Birit, Shëlbuesit, e është pikërisht gjithë kjo bukuri, e nisur nga shpirti, që i lulëzon në korp e që e përligj Të Ngjiturit e saj në Qiell me korp e me shpirt. Papa e di mirë gjithë këtë: e di, e beson, e jeton, mund të themi, me thjeshtësinë e një fëmije, e ky  është fakt tejet i bukur, nga i cili mund të nxjerrim shumë mësime. Shpesh herë e kemi dëgjuar Papën duke kujtuar gjyshen, sepse ajo ishte, në shtëpi, hallkë e traditës fetare. E ishte ajo, që e mësoi të lutej; ajo, që i kujton fëmijërinë; ajo, që ia mbushi gjithë jetën edhe me dashurinë për Zojën e Bekuar.

Pyetje: - Devocioni marian i Françeskut, siç e pohon ai vetë, nis që në moshë të njomë: e fëmijëria e tij na kujton Zojën e Lujanit, në Buenos Ajres. Këtë e shikojmë edhe në mënyrën si flet Papa për Marinë: thjesht, si fëmijë, si flet biri me të  ëmën në gjirin e familjes…

Përgjigje: - Natyrisht. Papa e shpreh devocionin e tij për Zojën e Bekuar me fjalë e sjellje tejet të thjeshta. Mjafton ta shikosh, kur kthehet nga ndonjë shtegtim. Niset menjëherë, me një tufë lule në dorë, drejt Bazilikës së Shën Marisë së Madhe: ky fakt flet vetë për thjeshtësinë e tij. E, duke qenë i thjeshtë, flet: i flet menjëherë zemrës, e përcjell sakaq mesazhin që të bind, me qartësi të plotë, se Papa e ndjen veten si fëmijë i kapur pas nënës, bir, që ka nevojë t’ia tregojë nënës historinë e vet, shtegtimet, lodhjet, angazhimet. Këtë kuptim ka tufa e luleve, që vë Papa mbi elter.

Pyetje: - Po ju, ç’ju prek më shumë në devocionin e Françeskut për Zojën e Bekuar?

Përgjigje: - Shumë herë kam reflektuar për devocionin tipik, që Papa e solli nga Buenos Aires e pastaj ia përcolli gjithë botës: “Devocionin e Zojës, që zgjidh nyjat”. E kujt nuk i është lidhur ndonjë gjë nyjë! Kush nuk e ka një nyjë, që dëshiron ta zgjidhë sa më parë? Atëherë është e bukur ta përfytyrosh Marinë, Nënën, që e merr në dorë të vet lëmshin tënd të ngatërruar keqas e, me durim, përpiqet ta zgjidhë, t’ia kthejë bukurinë e jetës normale, asaj jete që do të dëshironim ta jetonim të gjithë. Mendoj një hollësi nga jeta e Zojës: Marinë në Kanë të Galilesë. Një dasmë, një nyje: mungon vera! E Maria e zgjidh menjëherë nyjen. Duke e bërë këtë me një delikatesë të pashoqe. I drejtohet Jezusit, por nuk i thotë: “Duhet të bësh një mrekulli!”. Jo! Stili i Marisë është delikat; stil i përvuajtur. I thotë vetëm: “Biri im, nuk kanë më verë!”. Përgjigjja e Jezusit, që Maria, në atë çast, sigurisht nuk ka munduar ta kuptojë në tërë thellësinë e saj, ishte provë feje edhe për të: “Nuk ka ardhur ende ora ime!”. Do ta kuptonte, por shumë më vonë, për ç’orë po fliste Jezusi. Por përgjigjja e saj është jashtëzakonisht e bukur. Maria nuk e humbet guximin. U thotë shërbëtorëve veç dy fjalë: “Bëni si t’ju thotë Ai”. Është braktisje e thjeshtë, e përvuajtur, përmes së cilës mungullon e lulëzon mrekullia, është truall, në të cilin zgjidhet nyja!

Pyetje: - Viti i Mëshirës do të nisë, me vendim të Papës Françesku, më 8 dhjetor, Solemniteti i Zojës së Papërlyer. Papa e vë këtë Jubile nën shenjën, a më mirë të themi, nën mantelin mbrojtës të Marisë…

Përgjigje: - Zoja e Papërlyer është projekti fillestar i Zotit. Zoti do të dëshironte të ishim të gjithë të papërlyer, të pastër në shpirt, e kjo bukuri e zanafillës, që mungon në histori për shkak të mëkatit njerëzor, rifilloi me Marinë. Duke e hapur Jubileun e Mëshirës në ditën e Zojës së Papërlyer, Papa na thotë: “Kjo është ëndrra e Zotit” e të gjithë mund ta bëjmë një hap, për t’iu afruar ëndrrës së Zotit. Ta lëmë Marinë të na prijë. Ta lëmë të na çojë tek i Biri: Maria do të na tregojë rrugën e mëshirës, rrugën, në të cilën do të mund ta rifitojmë të gjithë bukurinë, që e patëm humbur. Zoti është gati; porta, e hapur: të hyjmë!








All the contents on this site are copyrighted ©.