2015-08-14 11:08:00

Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore: Gjon Pali II


Pas sintezës së situatës në fund të shekullit XX, që solli ndryshime të thella në Evropën lindore, po e vijojmë rubrikën, duke e bazuar kryesisht mbi shkrimin e historianit jezuit italian, atë Giovanni Sale: “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, botuar në “La Civiltà Cattolica”- 3931 - 5 prill 2014, Viti 165. Historiani jezuit thellohet kryesisht në situatën e katolikëve në të gjithë shtrirjen e “perandorisë” komuniste gjatë shekullit XX, pa prekur drejtpërdrejt gjendjen e shqiptarëve e posaçërisht të katolikëve, në këtë shekull, të cilin e quan “shekull i martirizmit”. Detyrohemi, prandaj, ta ndërpresim herë pas here fillin e studimit të atë Sales, për të sqaruar situatën në viset shqiptare gjatë shekullit XX, që nuk pasqyrohet nga studimi në fjalë, paralelisht me atë të Perandorisë së kuqe.

Emisioni i sotëm kushtohet një vështrimi retrospektiv mbi personalitetin e jashtëzakonshëm të Gjon Palit II, duke nisur nga skicimi i shpejtë i figurës së Papës polak e nga funerali i tij, për t’u rikthyer, pastaj, në emisionet e ardhshme, tek jeta dhe roli që luajti në shembjen e komunizmit, me ndikim të jashtëzakonshëm mbi të gjitha jetët e njerëzve nën thundrën e sulltanëve të kuq. Histori, kjo, që, megjithatë, mbetet ende nën hije, derisa të kalojnë 70 vjetët e nevojshme për hapjen, jo të dosjeve të falsifikuara, por të dokumenteve të vërteta. E dimë se historia bazohet mbi dëshminë e dokumentin. Dëshmitë tashmë nuk mungojnë, ndonëse duhen parë me sy kritik. Dokumentet janë ende të mbyllura në një mori arkivash të botës perëndimore e lindore, ndërmjet të cilave, edhe në Arkivin Sekret të Vatikanit, ku ruhen shumë faqe ende të panjohura të historisë së Kishës së katakombeve nën Perandorinë e kuqe.

Gjon Pali II, shkruan atë Sale, ishte sigurisht lideri fetar më popullor e më karizmatik i shekullit XX. Shërbesa e tij morale e fetare, posaçërisht në vitet e fundit të papnisë,  e zëri i tij,  u ndjenë fort jo vetëm nga katolikët, por (në mënyra të ndryshme) edhe nga gjithë të krishterët, pavarësisht nga konfesioni, e edhe nga mbarë njerëzit vullnetmirë. Me shtegtimet tij të panumërta ndërkontinentale, përdorimin e urtë të mediave, takimet oqeanike, që i shkonin aq shumë për shtat, si Ditët Botërore të Rinisë,  arriti ta përçojë mesazhin e tij të lartë fetar për shndërrimin shpirtëror, për paqen dhe respektin ndaj dinjitetit të njeriut, në të gjitha skajet e tokës. E bëri planetin mbarë, me qindra mijëra njerëzit e të gjitha feve, ta dëgjonte, edhe kur fliste për tema që shpesh kultura shekullare i konsideron si të padëshirueshme. Mund të thuhet se qe Papa i parë global në historinë e Kishës.

Lamtumira e fundit pranë trupit të tij të vdekur, ekspozuar për disa ditë në Bazilikën e Vatikanit sipas ritit të lashtë papnor, tërhoqi në Romë miliona njerëz. Nuk ishin turistë, as kuriozë, po shtegtarë feje në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, të heshtur, me lot në sy, por edhe me shpresë në zemër. Kjo ishte mrekullia e parë  e “Papës mediatik e global” .

E në se për nderimin e trupit të Papës polak u mblodhën milona njerëz, në funeralin e tij, kremtuar më 8 prill 2005, u takuan, ndoshta për herë të parë në një kremtim fetar, pothuajse të  gjithë burrat e shtetit më të rëndësishëm të tokës, por edhe shumica e krerëve të kishave e bashkësive të krishtera si dhe përfaqësues të feve të tjera. E sidomos, mijëra shtegtarë. Ndërmjet tyre u dukën parullat e paharrueshme me “britmën e heshtur”, që fliste vetë: “Shenjt menjëherë!”.

Kështu shenjtërimi i tij ishte përfundim i një lëvizjeje të fuqishme devocioni e feje, që kishte nisur në vitet e fundme të Papnisë së Gjon Palit II kur ai, i  goditur rëndë nga sëmundja (të cilën nuk e fshehu kurrë, por as nuk e vuri kurrë në pah) mishëroi gjithnjë më shumë ikonën e Krishtit të munduar, duke dëshmuar kështu, me fjalën e me jetën e vet, kuptimin e thellë të mesazhit të krishterë: atë të dashurisë, deri në dhurimin e plotë të vetvetes, të shërbimit për të tjerët  e të shpresës, që na orienton kah Krishti i Ngjallur.








All the contents on this site are copyrighted ©.