Papa Françesku emëroi vikarin e ri apostolik të Anadollit (Turqisë). Ai është jezuiti, atë Paolo Bizzeti, që deri tani ka kryer detyrën e rektorit të Patavina Residentia “Antonianum” dhe atë të drejtorit të Qendrës “Antonianum” për formimin e laikëve në Padovë. Selia e tij titullare do të jetë Tabe. 67 vjeç, fiorentin, atë Bizzeti hyri në Shoqërinë e Jezusit, në vitin 1966. Ekspert i çështjeve të Lindjes së Mesme, ka themeluar e udhëhequr Shoqatën “Miqtë e Lindjes së Mesme”, bashkësinë e familjeve “Maranàtha” dhe “Tryezën e Shtegtarëve të Lindjes së Mesme”. E pyetëm atë Bizzetin me ç’frymë e priti këtë emërim:
Do të thosha, me frymën e jezuitit, që ka bërë kushtin e gatishmërisë për të shkuar aty ku e dërgon Selia e Shenjtë dhe Papa. Shkoj me frymën e bindjes, me mirënjohje për besimin që më jepet dhe me shpresë për t’u shërbyer këtyre bashkësive të vogla të krishtera, në zanafillën e krishterimit, sepse Antiokia mbi Oronte, Tarsi, janë vende ku mund të themi se ne të krishterët kemi lindur, po aq sa në Jeruzalem.
Ju jeni pasardhësi i imzot Padovese-s, vrarë në vitin 2010. Që atëherë, selia është akoma vakante…
Po, jam i kënaqur që Selia e Shenjtë po i krijon vazhdimësi dëshmisë së imzot Padovese-s. Bashkësitë e krishtera prisnin prej kohësh bariun e shpirtrave. Janë të vogla, por plot gjallëri, krenare për fenë e tyre, në një Turqi, ku kanë jetuar gjithnjë shumë fe, por që në këtë çast historik, po kalon tensione. Besoj se shumica e njerëzve nuk është as për dhunën e as për fundamentalizmin, prandaj duhet t’i japim zë kësaj gjendjeje shpirtërore e duhet t’i lutemi Zotit të na ruajë nga lufta e nga përçarjet.
All the contents on this site are copyrighted ©. |