2015-08-13 12:19:00

“Perdja e hekurt” zhduket në koshin e plehrave të Historisë


 Në përgatitje për rubrikën e re, titulluar “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi shkrimin e historianit jezuit italian, atë Giovanni Sale, botuar në “La Civiltà Cattolica”- 3931 - 5 prill 2014, Viti 165, vijojmë pjesën IV të sintezës së ditëve të sprasme të shekullit XX, sot titulluar:  “Perdja e hekurt’ zhduket në koshin e plehrave të Historisë”.

 

Në Poloni, në fund të dimrit, gjatë një tryeze të rrumbullakët, në të cilën është i pranishëm Lech Walesa, merret vendimi për riorganizimin e sindikatës Solidarnosc si dhe të zgjedhjeve gati demokratike, në qershor 1989. Kjo “premiére” në Evropën Lindore do të sjellë fitoren e plotë  elektorale të Solidarnosc. Qeveria e re udhëhiqet nga gazetari katolik Tadeusz Mazowiecki. Lideri i ri jo vetëm që nuk është komunist, por, për më tepër, është edhe mik i Papës.

Në Republikën demokratike gjermane (Ddr), tensioni thellohet me kalimin e mijëra qytetarëve në Perëndim, duke rrethuar ambasadat perëndimore të kryeqyteteve mike, si Budapesti e Praga. Mosmarrëveshjet ndërmjet Gorbaçovit dhe Partisë Komuniste të Gjermanisë duken qartë gjatë kremtimeve me rastin e 40-vjetorit të Ddr-së, më 7 tetor. Atëhere nis të duket krejt qartë se në Lindje nuk funksionon më asgjë.  “Pse fqinjit tim i është tekur të lyejë shtëpinë, nuk është e thënë të bëj edhe unë të njëjtën gjë”, pohon me tallje të ligë Erich Honecker. Shkarkohet nga detyra dhjetë ditë më pas, për çudinë e stërmadhe të të gjithëve.

Udhëheqja e re e Ddr lëkundet. Deri në ç’pikë mund të shtyhet me reformat? Kreu i ri i partisë, aparatçiku Egon Krenz, nuk është më në gjendje ta kontrollojë situatën. Mjafton një ngatërresë burokratike lidhur me ligjshmërinë mbi vizat, më 9 nëntor, që të ndodhë e pandreqshmja: si marrin vesh nga televizioni se berlinezët e lindjes mund ta kapërcejnë “murin”, një turmë vigane vërsulet drejt Berlinit perëndimor, në një çrregullim të pabesueshëm. Vopos (Volkspolizei), apo policët, që nuk kanë marrë urdhëra, e lënë të kalojë këtë baticë njerëzore, duke ulur armët.

Në Moskë, Gorbaçovi e merr vesh ngjarjen vetëm të nesërmen. Urdhëri, që jep, është i qartë: mosndërhyrje në punët gjermane! Ushtarët të rrinë në kazermë. Nuk ka më kthim mbrapa. Muri i Berlinit mbetet ëndërr e keqe. As George Bush, as Margaret Thatcher, as Fraçois Mitterand, as Helmut Kohl, nuk e dinë si do të zhvillohen ngjarjet e mëtejshme, por një fakt i paparë e i padëgjuar tashmë ka ndodhur. “Perdja e hekurt” është zhdukur në koshin e plehrave të Historisë”.

Tri javë më pas, ndërsa regjimet komuniste bien njëri pas tjetrit e ribashkimi i gjermanisë bëhet i pashmangshëm, kreu i Kremlinit shkon në Vatikan për takimin historik me Papën Gjon Pali II. Në atë 10 dhjetor 1989 loja është kryer: kufiri ndërmjet dy Gjermanive është zhdukur, lufta e ftohtë ka mbetur vetëm një kujtim i keq, regjimi marksist është duke dhënë shpirt. Vetëm dy vjet më vonë do t’i vinte radha edhe perandorisë së sovjetëve, me dorëheqjen e presidentit të saj.

Dy muaj pas rënies, në një artikull të famshëm, që do të publikohej në gazetën italiane “La Stampa”, pastaj në “Libération”, “El Pais” e dhe ndonjë gazetë tjetër evropiane, Mihail Gorbaçov, duke rikujtuar këtë sërë përmbysjesh të jashtëzakonshme, do të shkruante: “Asnjë nga ngjarjet, që ndodhën në Evropën lindore, nuk do të kishte ndodhur, pa këtë Papë”.

E këtu emisionet tona vijojnë pikërisht me atë që bëri “Ky Papë”, duke u  bazuar kryesisht mbi shkrimin e historianit jezuit italian, atë Giovanni Sale, botuar në “La Civiltà Cattolica”- 3931 - 5 prill 2014, Viti 165.   








All the contents on this site are copyrighted ©.