2015-08-13 16:38:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: familja nuk improvizohet


Vijojmë t’ju flasim për familjen, në emisionin tonë të ditës së enjte, duke u përgatitur kështu, pak nga pak, për Sinodin e Familjes, që do të mbahet në tetor. Sot, do të reflektojmë mbi faktin se familja nuk improvizohet.

         Dreka përgatitet. Për një profesion, njeriu përgatitet. Për të marrë patentën e për t’i dhënë makinës, shkohet në shkollë. Edhe për të marrë diplomën shkohet në shkollë. Përgjithësisht, kur duam t’i bëjmë një kompliment një personi, që flet bukur, i themi se është “i përgatitur”. Pra, përgatitja është e rëndësishme për gjithçka. E si është e mundur që, kur është fjala për martesën e për familjen, të gjithë mendojnë se janë mëse të përgatitur?

         Duket sikur jemi të diplomuar në lëndën e martesës e se kemi patentën për të udhëhequr jetën familjare, vetëm e vetëm sepse kemi lindur burra e gra. E ky është pretendim, që mund të na çojë në rrugë të rrezikshme. Injorant nuk është ai që s’di, por ai që mendon se, duke ditur diçka, i di të gjitha.

         Marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, martesa, gjendja e përditshme e sfidat që duhet të përballojë familja, bëjnë pjesë në një fushë, në të cilën duhet hyrë me përvuajtëri e në majë të gishtave. Nëse çifti e jeton me besnikëri e me dinjitet martesën, ajo kthehet në vend, ku është bukur të banojnë së bashku, ndërsa, nëse ndodh e kundërta, ajo mund të shndërrohet në një ferr të vërtetë.

         Vëmendja e Kishës për familjen është shtuar gjatë 20-30 vjetëve të fundit, pikërisht sepse kësaj qelize të shoqërisë i duhet të përballojë sot shumë probleme, që nuk ekzistonin në të kaluarën. Janë edhe ato “shenja të kohës”. Duket sikur Zoti po luan kartën e vet të fundit, ashtu si luajti kartën e parë në fillim të historisë njerëzore, kur krijoi “burrin e gruan” në “shembëllim e në përngjasim” me Të. Atëherë zbuloi natyrën e Tij  - të themi – “familjare”, duke vënë në pah dashurinë e burrit me gruan. Sot, ndoshta, dëshiron të na thotë se njerëzimi do të shpëtojë vetëm nëse do të dijë të ulet rreth vatrës… natyrisht, pa e përjashtuar Atë vetë.

         Duke pasur parasysh këto gjëra, nuk duhet të jetë e vështirë të kuptohet se të gjithë, besimtarë e veprimtarë baritorë, duhet të impenjohen në sektorin e përgatitjes për martesë. Besimtarët duhet të lënë mënjanë ankimet e kota kundër brezit të ri, kundër të rinjve të sotëm, të cilët janë edhe ata bij të Zotit, ashtu si të rriturit e të moshuarit. Edhe ata kanë nevojë ta ndjejnë ngrohtësinë e familjes për të shkuar me besim drejt kërkimit e realizimit të dashurisë së tyre. Kur kanë përreth fjalë si “nuk kam kohë”, “jam me ngut”, kur shohin se u kushtohet më tepër vëmendje “sendeve” se atyre vetë, ai besim mund të lëkundet e të zhduket.

         Nga ana e përgjegjësve të katekizmit nevojitet një formë e shpalljes së Ungjillit, që fillon nga pranimi e mikpritja e nga vlerësimi i vullnetit për t’u dashur në Zotin, shprehur nga ana e të fejuarve. Dihet se ai që ndjehet i pranuar, është i gatshëm të dëgjojë me vëmendje gjërat që i thuhen. E me këtë frymë duhet të niset çdo lloj kursi, apo takimi, që përgatit për martesë.








All the contents on this site are copyrighted ©.