2015-08-13 12:45:00

Të Ngjiturit e Zojës në Qiell, në penelin e Cimabue-s


Episodi i Të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell, që do ta kremtojmë të shtunën, është një nga temat  e trajtuara shpesh në vepra arti. Ndërmjet një mori pikturash, të lashta e moderne, që e kanë këtë temë, po kujtojmë sot: “Të Ngjiturit e Zojës në Qiell” nga Cimabue; Correggio, Donatello, Ghilberti, Mantegna, Moretto,  Rubens, Tiziano.  Mund t’i sodisni në fotoalbumin tonë në facebook.

Për ta ndjerë më thellë këtë solemnitet, po mundohemi ta shpjegojmë përmes tri kryeveprave kushtuar Zojës së Ngjitur në Qiell, duke u ndaluar tek  piktorët e famshëm Cimabue, Rubens e Tiziani.

Cimabue

Të Ngjiturit e Zojës në Qiell, afresk (rreth 350x320 cm) realizuar nga Cimabue e nxënësit e tij rreth viteve 1277-1283, ruhet në absidën e Bazilikës së Epërme të Asizit.

Historia

Datimi i afreskeve të Cimabues është  mjaft i vështirë, sepse artisti krijoi në një epokë të hershme, që nis ndoshta ndërmjet vitit 1277, vit i zgjedhjes së Papës Nikolla III në fronin papnor, e vitit 1283.

Afresket e Cimabues, për fat të keq, sot janë tepër të zbehta, sepse të dëmtuara nga sulmi i kohës dhe i elementeve atmosferike. Një pjesë  e mirë janë mbuluar në vitet ‘400 nga  veshja e mureve me dru të skalitur, pajisur me fronet e korit.

Përshkrimi i stilit

I frymëzuar nga Legjenda e artë e Jakopo da Varagine, me ndonjë liri artistike, afresku tregon skenën pas vdekjes së Marisë, që njihet edhe me termin Trapasio (Kalim) ose Dormitio Virginis (Dremitja e Virgjërës).

Kompozimi realizohet me fasha horizontale, duke nisur nga fasha e poshtme, me arkivolin e  zbrazur e qefinin varur lirshëm anës arkës së drunjtë, ashtu siç mbetet kur njeriu ngrihet nga  gjumi; e vijon me katër radhë (duke nisur nga lart: patriarkët, pastaj martirët e dëshmitarët), për të kulmuar, së fundi, me një medalion në formë bajameje, me hark të mprehtë, gotik, brenda të cilit sodisim Krishtin e Marinë, që mbështet ëmbël kokën mbi supin e të Birit, simbol i martesës mistike të Krishtit me Kishën e tij. Medalionin e mbajnë Katër engjëj krahëshpalosur, realizuar sipas frymëzimit të piktorit nga fitoret me krahë, që pikturoheshin zakonisht në mesjetë.

Oksidimi i së bardhës, që sot është errësuar, e bën të vëshirë leximin e skenës, por pa ia errësuar aspak madhështinë kompozimit, që koha nuk mundi ta prekë. Prej kësaj skene të pikturuar qindra vjet më parë, vjen, në 15 gushtin e ditëve tona,  gjithë misteri i  dogmës së të Ngjiturit të Zojës në Qiell.   E shpresa se na hapi rrugën drejt qiellit.








All the contents on this site are copyrighted ©.