2015-08-13 16:59:00

Në festën e Zojës së Hasit, edhe dita e mërgimtarëve


Në Zym të Hasit të Thatë, në Kosovë, më 15 gusht 2015, kremtohet festa e Zojës së Hasit. Njëkohësisht, për të 14-ën herë me radhë, mbahet manifestimi kulturor “Ditët e mërgimtarëve”. Ky manifestim, që mbledh mërgimtarë nga diaspora kosovare,  organizohet nga Shoqata e Shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi” e Ansambli etno-kulturor “Katarina Josipi” të Zymit, në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës të Republikës së Kosovës.

Në fillim, pjesëmarrësit e këtij manifestimi do të vendosin lule te lapidari “Guri i kurbetqarit” e pastaj do të vizitojnë monumentet kulturo-historike të Zymit. Në fund mbahet një tubim kulturor për të dëgjuar një kumtesë, që ka të bëjë me historikun e kurbetit të zymjanëve, por edhe me kontributin që kanë dhënë mërgimtarët e Zymit në zhvillimin e vendlindjes së tyre.

Njëherësh, do të promovohet edhe libri “Thesari kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi 4”, të cilin e ka botuar Shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, që vepron në Suedi.  

Me atë rast do të hapet edhe ekspozita e librave të autorëve zymjanë (Imzot Ndre Bogdani, Imzot Pjetër Bogdani, Lukë Bogdani, Lazër Lumezi, Atë Ndue Bytyçi, Anton Pashku, Gjon Dulaj, Frrok Kristaj, Nikollë Kërhanaj, Atë Nue Kajtazi, Motra Ollga Dulaj, Hilë Gjevelekaj, Dr. Hashim Çollaku, Balë Kajzogaj, Hilë L. Sh. Prekpalaj, Lucije Marklushaj, Tunë Prekpalaj, Nol Kristaj, Gjon Gjevelekaj, Hajdar Mallaku, Gjon Kolëndrekaj, e kështu me radhë).

Njëherësh do të hapet ekspozita e Frrok Kristajt me fotografi të Imzot Pjetër Bogdanit, Atë Shtjefën Gjeçovit, Katarina Josipit e të Anton Pashkut. Në fund, do t’u shprehet mirënjohja mërgimtarëve, që kanë kontribuar për zhvillimin e vendlindjes.

(njoftim i Frrok Kristajt)








All the contents on this site are copyrighted ©.