2015-08-13 16:54:00

Kardinali Parolin, seminaristëve të Timorit Lindor: qofshi të Zotit, përditë


Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, ndodhet prej ditësh për vizitë në Azi. Pas Indonezisë, prelati shkoi në Dili të Timorit Lindor, ku kremtoi meshën në Seminarin e Madh. “Përditë” qe fjala kyçe, që karakterizoi homelinë e tij. Përditë, u tha seminaristëve, të jetoni e të përgatiteni për të qenë “dishepuj” e “misionarë”.

         Kardinali Parolin përvijoi gjithë impenjimin e seminaristëve, duke filluar nga formimi e shoshitja e thirrjes së tyre për meshtari, me bindjen se është Zoti ai, që i njeh, qysh para se të ishin një embrion në barkun e nënës e, se është Ai që i mban për dore e i mëson të jenë punëtorë të vreshtës së vet. Përditë e që në seminar, vijoi prelati, formohet aftësia për t’u takuar me njerëzit e me Zotin, zbulohet pak nga pak Jezusi, fytyra e mëshirës së Atit Qiellor, që i nxit të bëhen dishepuj të mëshirës, njerëz të shpirtit e jo vetëm të mendjes. Përditë, përfundoi kardinali, seminaristët mësojnë si të bëhen meshtarë të denjë, duke u zgjatur dorën “të harruarve” e “të mënjanuarve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.